Sport

Zhegrova thotë se skuadra është shumë e përgatitur

Descriptive Text

Edon Zhegrova pati paraqitje shumë të mirë në miqësoren e fituar kundër Burkina Fasos 5:0, të enjten mbrëma në Prishtinë.

Zhegrova e kompletoi ndeshjen, ndërsa asistoi në golin e parë të Kosovës, të cilin e shënoi Fidan Aliti.

“Që në ditën e parë kur jemi grumbulluar me skuadrën, kemi qenë shumë të përgatitur dhe të fokusuar për këtë ndeshje. Edhe pse ndeshje miqësore, ka qenë e rëndësishme. Ishte kënaqësi të kthehemi në stadiumin “Fadil Vokrri”, me shikues. Ne luajmë gjithmonë për fitore”, tha Zhegrova, i cili nënvizoi po ashtu se është duke bërë stërvitje specifike për përmirësimin e aspektit fizik.

“Duke marrë parasysh transferimin tim në Francë te Lille, po përgatitem shumë. Po bëj stërvitje specifike me trajner, çdo ndeshje do të mundohem ta jap maksimumin. Në Zvicër do të ketë shumë shqiptarë, më shumë shqiptarë se zviceran. Ndeshja me Zvicrën është pak më e veçantë, por ne do të luajmë për fitore”, u shpreh Zhegrova.