Sport

Ekuadori dhe Uruguai synojnë biletën për Katar

Ekuadori do të përpiqet të thyejë një mallkim historik të premten kur do të udhëtojë në Paraguai për të kërkuar pikën që do të rezervonte biletën e tyre për Kupën e Botës në Katar, që mbahet më vonë këtë vit, përcjell AFP-ja. Në tetë ndeshjet e mëparshme kualifikuese të Kupës së Botës jashtë në Paraguai, që nga viti 1981, Ekuadori e ka humbur secilën prej tyre. Nëse Ekuadori shmang humbjen, do të kualifikohej në botërorin “Katari 2022”, dhe ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Argjentinës më 29 mars në Guayaquil do ta kthente në festë, diçka që shumë ekuadorianë e mendonin të pamundur kur filluan kualifikimet.

“Kjo përfaqësuese meriton dyfishin e lavdërimit, sepse duhet të jesh shumë i sinqertë, 99.9 për qind e ekuadorianëve nuk mendonin se do të kualifikoheshin në Kupën e Botës”, tha Carlos Tenorio, ish-sulmuesi që shënoi dy gola për Ekuadorin në Botërorin e vitit 2006 të mbajtur në Gjermani. “Njerëzit ende i mbajnë mend golat e Tenorios në vitin 2006, kur Ekuadori u kualifikua në 1/8 e finales. Në kohën tonë, ne dhamë gëzim, por tani këta djem meritojnë shumë më tepër dhe kanë kushte shumë më të mira se ne për ta arritur atë”.

Shpresat e pakta të Paraguait për të arritur kualifikimin në Botëror përfunduan me një humbje 1:0 në shtëpi ndaj Uruguait në fund të janarit dhe një humbje 4:0 në Brazil në fillim të shkurtit. Brazili dhe Argjentina siguruan kualifikimin direkt vitin e kaluar dhe të dy ekipet mbeten të pamposhtura gjatë kualifikimeve të Amerikës Latine. Katër përfaqësueset e para në grupin e vetëm kualifikues të Amerikës së Jugut fitojnë vende automatikisht në Katar, ndërsa vendi i pestë do të luajë në plejofin ndërkontinental. Uruguai gjithashtu mund të rezervojë vendin në Botëror të premten, kur e pret Perunë në Montevideo. Një seri prej katër humbjesh radhazi i kishte lënë shpresat e Uruguait në ekuilibër, por federata e vendit shkarkoi trajnerin Oscar Tabarez në nëntor pas 15 vjetësh. Zëvendësuesi i tij, Diego Alonso, pati një fillim të përsosur me fitoren 1:0 në Asuncion, e ndjekur nga një fitore 4:1 në shtëpi ndaj Venezuelës. Fitorja ndaj Perusë, e cila është një pikë prapa në njërën anë, dhe në tjetrën dështimi i Kilit për të fituar në udhëtim te Brazili, do të sigurojnë kalimin e Uruguait në Katar. Por Alonso e di se Uruguai nuk mund të përballojë dështimin me një udhëtim në Kili në horizont. Dështimi për të mposhtur Perunë, jo vetëm që do të vinte në rrezik kualifikimin automatik, por do të nënkuptonte një humbje në Kili që mund të bënte që Uruguai të humbasë edhe plejofin, me Kolumbinë që ka pesë pikë më pak dhe gjithashtu është ende në garë për pozitën e pestë.

“Peruja është një skuadër që ka shtatë vjet që konkurron në një nivel të lartë”, tha Alonso, duke kujtuar se Peruja luajti në Botërorin e fundit dhe ka arritur në gjysmëfinale në katër nga pesë turnetë e fundit të “Copa Americas”. “E gjithë kjo tregon se ata janë të rrezikshëm. Ne do të përpiqemi të luajmë lojën tonë, në zonat e fushës ku ndihemi të fortë dhe rehat, për t'ia vështirësuar jetën Perusë”.

Sulmuesit veteranë të Uruguait, Luis Suarez dhe Edinson Cavani, kanë mungesë të ndeshjeve, pasi po luftojnë për minutazhë tek Atletico Madridi dhe Manchester Unitedi. Peruja do të jetë pa dy sulmuesit me përvojë Paolo Guerrero dhe Jefferson Farfan. Shpresat e zbehta të Kilit për të siguruar kualifikimin automatik në Botëror mbështeten në fitoren të premten në udhëtim te Brazili.

“Këtë ndeshje e kam pritur për disa kohë”, tha mesfushori i Kilit, Arturo Vidal, që është kthyer nga pezullimi.

Argjentina, e cila pret Venezuelën e fundit të premten, është e pamposhtur në 29 ndeshje. Edhe pse ishin të kualifikuar dhe kishte pushuar Lionel Messin në dy ndeshjet e fundit, Argjentina i mposhti Kilin dhe Kolumbinë, duke dëmtuar shpresat e të dy ekipeve. Messi është rikthyer për dy ndeshjet e fundit kualifikuese. Brazili, gjithashtu i pamposhtur, ka qenë ekipi me më së shumti gola të shënuar, si dhe ka mbrojtjen më të mirë në këto kualifikime. Kolumbia ruan një shans të jashtëm për kualifikim automatik, por edhe nëse e mposht Bolivinë në shtëpi dhe fiton ndeshjen e fundit te Venezuela, vendi në plejof mbetet i rrezikuar. Po ashtu Kolumbia në shtatë ndeshjet e fundit nuk ka shënuar gol.