Sport

Pas shfaqjes së yjve të rinj, Suedia nuk mbështetet më tek Ibrahimoviqi

Mungesa e sulmuesit Zlatan Ibrahimoviq për një ndeshje të rëndësishme të Suedisë do të ishte zakonisht një çështje ankthi kombëtar. Mirëpo, këto ditë nuk po konsiderohet çështje e tillë mungesa e yllit të Milanit.

Mbështetja e Suedisë te golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave - dhe ndoshta lojtari më i madh i vendit - është zbehur pas shfaqjes së një numri të lojtarëve të talentuar që janë rreth gjysma e moshës së Ibrahimoviqit.

Anthony Elanga, një sulmues 19-vjeçar, po shijon një sezon përparimtar në nivelin e lartë - te skuadra e Manchester Unitedit. Dejan Kulusevski, 21 vjeç, po rezulton të jetë një zbulim te Tottenhami pas transferimit të tij në Londër nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit. Më pas është 22-vjeçari Alexander Isak, paraqitjet dinamike të të cilit gjatë Kampionatit Evropian të vitit të kaluar i bënë vëzhguesit të ulen dhe ta vënë re.

Papritmas, hyrja e Suedisë në plejofin për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, përkatësisht në ndeshjen kundër Çekisë të enjten, pa shkëlqimin enigmatik të 40-vjeçarit Ibrahimoviq, nuk është detyra e frikshme që do të kishte qenë dikur.

Ibrahimoviqi është pezulluar për ndeshjen në Stokholm dhe nëse Suedia fiton, mund të mos jetë mjaftueshëm i aftë për të qenë titullar në duelin kundër Polonisë të martën tjetër, duel ky vendimtar për një vend në Botërorin që mbahet në Katar në fund të këtij viti.

Ibrahimoviqi është në rikuperim e sipër nga lëndimi i nyjës së këmbës. Megjithatë për përzgjedhësin e Suedisë, Janne Anderssonin, Ibrahimoviqi ka ende një rol të madh gjatë javës së ardhshme në ekip.

“Ai mund të kontribuojë me përvojën e tij këtu. Unë e shoh atë si një gjysmë lideri që mund të shtyjë, të drejtojë dhe të japë këshilla për lojtarët më të rinj, kështu që ai ka një rol të rëndësishëm edhe nëse nuk luan të enjten”, ka pranuar Andersson. “Mund të them se kam besimin më të madh tek ai në atë rol”.

Që kur Henrik Larsson ishte në krye të sulmit me Ibrahimoviqin në fillim të viteve 2000, Suedia nuk është bekuar me opsione kaq të forta sulmi. Një ikonë si Ibrahimoviqit për të këshilluar sulmuesit e rinj të vendit e bën situatën edhe më të mirë.

Sidomos pasi lojtarë si Kulusevski, Elanga dhe Isak mund të lidhen me Ibrahimoviqin dhe udhëtimin e tij për të luajtur për ekipin suedez. Ashtu si Ibrahimoviqi që ka lindur në Suedi nga prindër emigrantë nga ish-Jugosllavia, Kulusevski ka lindur në Suedi nga prindër me origjinë maqedonase. Elanga ka lindur në Malmo – si Ibrahimoviqi – dhe babai i tij është një ish-futbollist i Kamerunit. Isak është djali i prindërve nga Eritrea, të cilët u shpërngulën në Stokholm në vitin 1980 për shkak të luftës së gjatë civile në Afrikën Lindore.

“Zlatani na hapi dyert ne njerëzve të tjerë në Suedi që askush nuk mund t'i imagjinojë. Ai me të vërtetë ndihmoi çdo fëmijë të vogël, fëmijë që ishin të huaj, duke u treguar atyre se gjithçka është e mundur. Kur ai filloi të përmendte emrin tim si lojtar, unë isha si një fëmijë në Krishtlindje”, tha Kulusevski.

“E admiroj gjithashtu Ibrahimoviqin. Ai është 40 vjeç dhe mund të vazhdojë të bëjë atë që bën, të shënojë gola. Është një nder të luaj me të”.

Elanga është në Përfaqësuesen A të Suedisë për herë të parë pasi ka hyrë në ekipin e parë te Unitedit, pavarësisht listës së sulmuesve të shquar në klubin anglez, të kryesuar nga Cristiano Ronaldo, Marcus Rashford dhe Jadon Sancho. Ai ka spikatur me paraqitjet e tij këtë sezon dhe Andersson është i kënaqur që ka Elangan në ekip, duke pasur parasysh se adoleshenti mund të kishte zgjedhur të luante për Kamerunin apo edhe Anglinë, ku u transferua në moshën 11-vjeçare me nënën dhe motrat e tij.

Elanga nuk ka gjasa të jetë titullar kundër çekëve dhe Andersson nuk ndihet nën ndonjë presion për të aktivizuar të riun të cilin e ka ftuar vetëm për ta “kyçur” në ekipin e Suedisë.

“Unë nuk logjikoj kështu. Ai ka thënë se Suedia vlen për të 100%. Unë i besoj asaj që më tha”, tha Andersson. “Nëse po flasim për dikë si Anthony, atëherë mund ta sjellim në ekip dhe ta aktivizojmë gradualisht. Mund të na duhet kur jemi në situatë për të sulmuar dhe mund të jetë vendimtar. E rëndësishme është që ai po ambientohet me ne”.

Isak duket të jetë lojtari kryesor i Suedisë në qendër të sulmit. Do të luajë përkrah Emil Forsbergut, një sulmues i krahut te Leipzigu, i cili ka qenë sulmuesi kryesor i Suedisë për një kohë, veçanërisht kur Ibrahimoviqi ishte në pension ndërkombëtar, nga viti 2016 deri në vitin e shkuar. Ibra mund të tërhiqet sërish nga detyra ndërkombëtare, nëse Suedia humb ndaj çekëve. Ose ka gjasa që këtë ta bëjë pas Kampionatit Botëror, në rast se Suedia kualifikohet. Megjithatë, nuk ka gjasa të ketë mërzi kur kjo të ndodhë. Në fund të fundit sulmi i Suedisë duket se është në një pozitë shumë të mirë pa të.