Sport

Sahiti i lumtur për ftesën nga Kosova, shpreson ta shpërblejë besimin

Descriptive Text

Emir Sahiti çdo vit një pjesë të pushimeve e ka kaluar në Kosovë. Por ardhja e tij në Kosovë kësaj radhe është e veçantë. Ai për herë të parë do të grumbullohet me Përfaqësuesen e futbollit. Sahiti është përfshirë në listën e përzgjedhësit të ri të “Dardanëve”, Alain Giresse, për miqësoret e këtij muaji. Ish-futbollisti i Shpresave të Shqipërisë me padurim po e pret grumbullimin me Kosovën.

Ai në të shkuarën ka luajtur edhe për U19 të Shqipërisë.

Sahiti insiston se grumbullimi me Kosovën do të jetë i veçantë. Ai shpreson në debutim me Kosovën. Ai është pjesë e Hajdukut të Splitit.

“Është hera e parë që jam grumbulluar dhe sigurisht që është një ndjenë shumë e mirë dhe e veçantë për mua, pasi do të vij të luaj për shtetin tim dhe do të mbroj ngjyrat e vendit ku jam rritur. Shpresoj që të jap maksimumin tim në çdo stërvitje dhe në ndeshje të jap të mirën”, ka thënë Sahiti të dielën për KOHËN.

Sulmuesi 23-vjeçar në edicionin aktual në të gjitha garat ka shënuar shtatë gola dhe ka kontribuar me katër asistime në 31 ndeshje për Hajdukun e Splitit. Ai është i etur t’i ndihmojë Kosovës në ndeshjet e këtij muaji kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës. Me Burkina Fason, Kosova luan të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse ndaj Zvicrës luan më 29 mars në Zuerich.

“Shpresoj që të vazhdoj me ndeshje të mira dhe të paraqitem sa më mirë. Sigurisht që dëshira është të ndihmoj edhe me gola nëse më vjen mundësia”, është shprehur Sahiti.

Por është selektori ai që vendos nëse do t’ia japë rastin Sahitit. Këtë e di lojtari.

“Sa u përket ndeshjeve besoj që trajneri vendos se kush do të luajë. Unë do të jap më të mirën nga vetja në stërvitje. Synimet janë që t’i fitojmë të dyja ndeshjet pavarësisht që janë vetëm dy ndeshje miqësore. Nuk do të jetë e lehtë, por shpresojmë të përgatitemi sa më mirë dhe të paraqitemi në mënyrën më të mirë”, ka theksuar Sahiti. Ai për Shpresat e Shqipërisë ka shënuar dy gola në 11 paraqitje.

Sahiti është rritur në Prishtinë. Ka luajtur për të rinjtë e Prishtinës dhe për ekipin e parë të Ramiz Sadikut. Ka luajtur më pas për Rabotniçkin e Shkupit. Në Kroaci, përveç Hajdukut të Splitit ka luajtur edhe në Shibenik.

Ai është i kënaqur me zhvillimin, ndërsa synimet i ka edhe më të mëdha.

“Te Hajduku jam duke kaluar një formë të mirë ku në çdo ndeshje jam titullar.Klubi, bashkëlojtarët dhe tifozët janë të kënaqur me angazhimin tim në këtë edicion.

Jam i lumtur që puna të cilën e kam bërë është duke u shpërblyer. Kam punuar shumë që të paraqitem sa më mirë në ndeshje”, ka thënë Sahiti.

Emiri është vëllai i vogël i Suad Sahitit, që në të kaluarën po ashtu ka qenë pjesë e Kosovës. Në vitin 2017 pati luajtur në miqësoren kundër Letonisë.