Sport

Driton Kuka nominohet për trajnerin më të mirë në Evropë, pritet ta fitojë edhe këtë çmim prestigjioz

Descriptive Text

Sukseset kulmore që xhudistët kosovarë i arritën vitin e kaluar ia siguruan Driton Kukës çmimin e trajnerit më të mirë të xhudos në botë për vitin 2022. Çmimi ishte vendosur me vota të lexuesve, pas nominimit të bërë nga IJF-ja. Një çmim tjetër prestigjioz individual pritet ta fitojë trajneri kosovar pas disa javësh.

Driton Kuka është i nominuar për trajnerin më të mirë në Evropë për vitin 2021. Dhe vlerësohet favorit i madh që të shpallet trajneri më i mirë i xhudisteve në kontinent.

Se kush do të shpallet më i miri do të zbulohet gjatë Kampionatit Evropian të xhudos për seniorë që mbahet në Sofje të Bullgarisë prej 29 prillit deri më 1 maj. Në ceremoninë “EJU Awards” do të shpërblehen personalitetet dhe federatat që kanë dhënë kontribut të madh për xhudon evropiane gjatë vitit 2021.

Me dy medalje të arta olimpike, Kosova ka nderuar edhe EJU-në në Tokio. Dhe pikërisht ato medalje pritet t’ia sigurojnë Kukës çmimin e më të mirit të vitit. Pos të artave olimpike të Distria Krasniqit e Nora Gjakovës, xhudistët e Kukës kanë fituar edhe medalje botërore e evropiane gjatë vitit të kaluar. Madje në Evropian, Kosova ishte më e suksesshmja.

Në të vërtetë EJU-ja deri vonë nuk ka qenë shumë vlerësuese ndaj xhudos kosovare, me gjithë raportet korrekte mes dy federatave. EJU-në e ka udhëhequr rusi Sergey Soloveychik. Por ai ka dhënë dorëheqje për shkak të luftës në Ukrainë, dhe ndikimi rus në EJU tashmë është dukshëm më i vogël. Gjermani Otto Kneitinger tani udhëheq me Unionin Evropian të Xhudos. Dhe kjo organizatë tash e tutje pritet të jetë dukshëm më e hapur ndaj Kosovës dhe xhudos kosovare. Nuk përjashtohet mundësia që si rezultat i sukseseve kulmore, drejtues të Federatës së Xhudos së Kosovës të marrin pozita të rëndësishme në EJU.

Trajneri Driton Kuka po e vazhdon punën për suksese të tjera kulmore në xhudo. Aktualisht xhudistët kosovarë janë në një kamp në Shqipëri. Synimet afatshkurtra janë për Evropianin në Sofje dhe Botërorin që mbahet më vonë këtë vit. Në të dy ngjarjet Kosova synon medalje. Por synimi i madh është Olimpiada e Parisit.