Sport

Pas pandemisë, dhuna në futboll po përhapet në Amerikën Latine

Një varg shpërthimesh të dhunës, disa vdekjeprurëse, sugjerojnë se trazirat e tifozëve në futbollin e Amerikës Latine po dalin jashtë kontrollit. Imazhet e një përleshjeje masive në një lojë në Meksikë më 5 mars, që la 26 të plagosur rëndë dhe çoi në 14 arrestime, u bënë virale dhe tërhoqën vëmendje të shtuar, sepse vendi do të jetë bashkorganizator i Kampionatit Botëror të vitit 2026 me SHBA-në dhe Kanadanë. Në të njëjtën mbrëmje pati sulme të egra pranë një stadiumi në Palmira, pak jashtë qytetit të Kolumbisë, Cali, mes tifozëve të skuadrave America dhe Deportivo Cali.

Të nesërmen, një burrë u qëllua për vdekje në një konfrontim mes tifozëve të Atletico Mineiros dhe Cruzeiros në Brazil. Ndërsa akademikët që studiojnë këtë çështje thonë se fundi i kufizimeve të koronavirusit, që është fajësuar për rritjen e dhunës në futbollin francez dhe anglez, është një faktor, ka edhe probleme themelore që po trajtohen në mënyrë joadekuate nga autoritetet.

“Nuk ka asnjë mënyrë për t'i dhënë fund dhunës në futboll, kjo duhet të jetë shumë e qartë”, tha Heloisa Reis, profesoreshë në Universitetin Unicamp të Sao Paulos. “Por ajo mund të reduktohet. Për këtë nevojitet një politikë publike dhe shumë gjithëpërfshirëse” , tha Reis, autori i një libri për problemin.

Argjentina, Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja kanë miratuar ligje për të shuar ekseset, duke dënuar huliganët me burgim apo edhe duke i anuluar ngjarjet sportive. Disa nga këto iniciativa përsërisin hapat në Evropë për të kontrolluar huliganët, të tilla si identifikimi biometrik ose vëzhgimi me kamera brenda dhe përreth stadiumeve. Pas trazirave në Queretaro, Meksika ndaloi udhëtimin e tifozëve mysafirë në ndeshje, një masë kjo e përdorur në Argjentinë, Brazil dhe Kolumbi. Megjithatë, sipas ekspertëve, tifozët ende udhëtojnë dhe dhuna shkon nëpër rrugë. Pavarësisht përpjekjeve të tyre më të mira, numri i vdekjeve mbetet i madh: 157 në Brazil midis 2009 dhe 2019, 136 në Argjentinë në 20 vjetët e fundit dhe të paktën 170 në Kolumbi midis 2001 dhe 2019.

“Dështimi i madh i politikave të miratuara është se ato fokusohen ekskluzivisht në komponentin e sigurisë”, thotë sociologu German Gomez, një studiues në Shoqatën Kolumbiane të Studimeve Sportive.

Specialistët pajtohen se masat priren t’i injorojnë studimet akademike ose zhgënjimet e sfondit social që rrjedhin nga papunësia, pabarazia ose konsumimi i drogës dhe alkoolit. Reis argumenton se rrënja e problemit është te meshkujt. Ndeshjet e futbollit ofrojnë një arenë për konkurrencën midis meshkujve për të fituar pushtet mbi rivalët, veçanërisht në territorin e tyre, nëpërmjet forcës fizike. Reis mbron politikat publike të fokusuara në edukimin e meshkujve, por ajo nuk është optimiste.

“Ne kemi jetuar nën dominimin mashkullor për shekuj. Vlerat mashkullore të riprodhuara janë dominimi, forca dhe guximi. A ka perspektivë për t'i dhënë fund kësaj? Nuk ka”, tha ajo.

Specialistët dhe tifozët perceptojnë një rritje të dhunës që nga përfundimi i kufizimeve të COVID-19, duke bërë që tifozët të kthehen nëpër tribunat e stadiumeve.

“Këto janë pasojat e një izolimi kaq të zgjatur, në të cilin njerëzit kur kthehen në një ngjarje publike kanë nevojë të dalin nga ajo mbyllje”, tha Gomez.

Në Brazil, të paktën nëntë incidente janë raportuar që nga 12 shkurti, duke përfshirë vrasjen e një tifozi të Palmeirasit dhe gjuajtjen me gurë të autobusëve të ekipeve, në të cilat lojtarët u plagosën.