Sport

Januzaj premton gola e spektakël në Spanjë

Mesfushori kosovar Adnan Januzaj dha shumë premtime pas stërvitjes së parë të mbajtur, të enjten, me klubin e ri Real Sociedad. 22-vjeçari premtoi gola dhe futboll të bukur në Ligën e Evropës dhe kampionatin spanjoll, La Liga, shkruan sot Koha Ditore.

Gola dhe paraqitje të mira presin edhe zyrtarët e klubit. Presidenti Jokin Aperribay dhe drejtori Lorenzo Juarros në konferencën për media të mbajtur, të enjten, thanë se Sociedadi është vendi ku Januzaj do të ketë mundësi t'i tregojë vlerat që nuk i tregoi në Manchester United, Borussia Dortmund dhe Sunderland. Mesfushori i përfaqësueses së Belgjikës të mërkurën mbrëma nënshkroi kontratë për pesë vjet me Sociedadin, kurse të enjten në mëngjes mbajti stërvitjen e parë dhe konferencën për media.

"I jam mirënjohës klubit që ka besuar në mua dhe jam i lumtur që do ta filloj një aventurë të re në këtë ligë. Unë e dua futbollin dhe mendoj se karakteristikat e mia i përshtaten Real Sociedadit. Jam i impresionuar me objektivat dhe gjithçka që kam parë në ditën time të parë. Gjëja e parë është ta shijoj futbollin në Real. Kam ardhur për të dhënë maksimumin që së bashku t'i përmbushim objektivat e klubit. Synimi im është të shënoj gola dhe të luaj futboll të bukur", ka thënë Januzaj.

(Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.