Sport

Kostoja e lartë e ndryshimit të shpeshtë të lojtarëve të huaj

Deri 48 orë para xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll, që u zhvillua vikendin e kaluar, skuadrat kanë mundur të regjistrojnë lojtarë të huaj.

Afatin që u mbyll të enjten, skuadrat kosovare e kanë shfrytëzuar goxha mirë. Të gjitha ekipet - me përjashtim të Dritës, që nuk ka synime dhe fitore këtë edicion - kanë paraqitur lojtarë të huaj për regjistrim së fundi.

Numri i lojtarëve të huaj që ekipet i kanë angazhuar gjatë këtij edicioni është i madh. Plot 69 lojtarë janë regjistruar nga skuadrat e Superligës për këtë edicion, që pritet ta ketë një përfundim dramatik.

Edicioni pritet të mbyllet në muajin maj, ndërsa deri në fund të pjesës së rregullt kanë mbetur edhe gjashtë xhiro.

Numri i lojtarëve të huaj po konsiderohet jashtëzakonisht i madh. Vlerësohet që ka rritur dukshëm shpenzimet e skuadrave që synojnë titullin e kampionit.

Ndërrimi i shpeshtë i lojtarëve nuk po shihet si “politikë e mirë” nga ish-drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Granit Rugova. Rugova thotë se gjëja më e mirë për klubet kosovare do të ishte nëse i mbajnë deri në fund lojtarët e huaj që i marrin në fillim të edicionit, për të mos rritur koston e shpenzimeve. Mirëpo ai thotë se kampionati është i gjatë dhe mund të ndodhin shumë gjëra gjatë rrugëtimit, të cilat pastaj sjellin zëvendësimet e detyrueshme dhe të shpeshta nëpër ekipe. Sipas Rugovës, zëvendësimet ndodhin për shkak se disa prej lojtarëve të huaj nuk bindin me paraqitjet e tyre, ndërsa disa të tjerë marrin oferta më të mira nga vendet e tjera dhe kërkojnë largimin.

“Më e lehtë dhe më mirë do të ishte nëse ekipet me transferimet e para të cilat i bëjnë të arrijnë të konsolidohen. Por sigurisht që një gjë e tillë nuk është e lehtë për arsye të shumë rrethanave, adaptimit në lojë dhe shumë gjërave të tjera të cilat mund të ndikojnë. Disa basketbollistë nuk arrijnë të bindin pas ardhjes së tyre dhe nuk përmbushin pritshmëritë”, tha Rugova, ish-basketbollist i dalluar. “Ndërrimi i lojtarëve vjen edhe pasi gjatë sezonit ekipet ndërrojnë edhe synimet. Sigurisht lëvizjet e tilla kanë një kosto më të madhe, por qëllimi është që ekipet të përforcohen më shumë. Kemi raste edhe kur lojtarët largohen vetë, pasi gjejnë skuadra më të mira dhe paguhen edhe më shumë”, deklaroi ish-basketbollisti i shumë skuadrave kosovare.

Më së shumti lojtarë të huaj këtë edicion ka regjistruar skuadra e Rahovecit, që po lufton për t’i ikur plejautit. Rahoveci është i parafundit në tabelë me 29 pikë, dy më pak se Bashkimi, që ka edhe një ndeshje më shumë të luajtur.

Rahoveci ka regjistruar 14 lojtarë të huaj këtë edicion, përfshirë edhe Ivan Koleviqin, që në pjesën e parë ishte lojtar i Prizreni-16.

Numri i madh i lojtarëve të ndërruar brenda një edicioni vjen për shkak se ata transferohen nga kryesia dhe jo trajneri. Kështu ka insistuar ish-basketbollisti dhe tani trajneri Muhamed Thaqi.

Ai insiston se lojtarët e huaj duhet t’i besohen trajnerit dhe dëshmia më e mirë për këtë është KB Trepça. Ekipi mitrovicas e ka në krye trajnerin bullgar Lumobir Minchev, i cili tashme ka udhëhequr ekipin drejt triumfit në Kupën e Kosovës.

“Arsyeja e ndërrimit të shpeshtë të lojtarëve të huaj është pasi klubet dhe kryesitë nuk i njohin mirë lojtarët se nga cilat liga apo kolegje vijnë. Kryesisht në klubet në Kosovë është kryesia e cila vendos rreth transferimeve të lojtarëve të huaj. Në rastin e vetëm Trepça e di që nuk e ka bërë një gjë të tillë, me trajnerin që ka vendosur për lojtarët e transferuar. Sigurisht, ndërrimi i lojtarëve të huaj është edhe një kosto e lartë për ekipet, pasi janë shpenzime të cilat duhet të llogariten, kontrata, biletat e udhëtimit dhe akomodimi e gjërat e tjera", ka thënë Thaqi, që shpreson që klubet kosovare t’i kthejnë sytë kah lojtarët vendorë.

“Shpresoj që ekipet në Kosovë ta rikthejnë vëmendjen te lojtarët vendorë dhe të investohet në basketbollistët e rinj dhe me perspektivë. Një gjë e tillë nuk është bërë në Kosovë pasi shumica e klubeve mbështeten në lojtarët e huaj. Shpresoj që kjo gjë të ndërrojë së shpejti dhe të kemi lojtarë vendorë të cilët do ta bartin barrën në ekipet e tyre”, u shpreh Thaqi.

Pos Rahovecit, shumë ndërrime ka bërë edhe Peja. Ekipi pejan ka regjistruar në total 12 lojtarë, duke llogaritur edhe Courtney Fellsin që iu bashkua javë më parë dhe në fillim të këtij edicioni ishte pjesë e Prizreni-16. Sa Peja lojtarë të huaj këtë edicion ka regjistruar edhe kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli.

Prizreni-16 ka regjistruar nëntë lojtarë, ndërsa Trepça dhe Sigal Prishtina nga tetë të huaj. Më së paku basketbollistë të huaj ka regjistruar skuadra e Dritës, që u rikthye këtë edicion në elitë pas një pritjeje të gjatë, por që është ekipi i vetëm pa fitore në 22 xhiro të zhvilluara.