Sport

Peja pa telashe ndaj Prizrenit-16

Descriptive Text

Skuadra e Pejës nuk ka pasur telashe për ta mposhtur Prizrenin-16 në kuadër të xhiros së 12-t të Ligës Unike.

Në ndeshjen e luajtur të enjten në Suharekë, ku Prizreni-16 ishte vendas, Peja triumfoi me rezultatin 84:72.

Me këtë fitore që ishte e nënta këtë edicion në Ligën Unike, Peja është forcuar në pozitën e dytë në tabelë me 21 pikë, dy më pak se Golden Eagle Ylli që është lider.

Ndërkohë, Prizreni-16 ka mbetur i treti me 19 pikë me shtatë fitore e pesë humbje të regjistruara deri më tani në pjesën e rregullt të kësaj gare.

Daniel Lekndrejaj e ka udhëhequr Pejën drejt këtij triumfi, pasi ndeshjen e mbylli me “double-double”.

Ai shënoi 22 pikë dhe bëri 16 kërcime, duke lënë pas vetes Dardan Berishën (21), Arian Qallakun (18 pikë, 10 kërcime) e Courtney Fellsin (15).

Te Prizreni-16, katër lojtarë arritën të shënojnë pikë dyshifrore. Me i dalluari ishte Darrell Davis me 31 pikë e 13 kërcime, i përcjellë nga Xavier Cannefax (13), Altin Morina (11), dhe Tyrell Williams (10).