Sport

Trajneri i Chicagos u kërkon lojtarëve t’ia pasojnë topin Shaqirit

Descriptive Text

Trajneri i Chicago Fire, Ezra Hendrickson është i fokusuar në fazën e sulmit për ndeshjet e ardhshme pas dy barazimeve pa gola në dy duelet e para të këtij edicioni në MLS. E për të sulmuar më shumë gjatë tërë ndeshjes dhe për të pasur mundësinë që ekipi i tij të shënojë gola, Hendrickson ka kërkuar nga lojtarët e tij që t’ia pasojnë topin sa më shumë Shaqirit. Hendrickson dëshiron që Shaqiri ta mbajë topin në këmbë sa më shumë gjatë ndeshjes dhe t’i rrezikojë ekipet kundërshtare me depërtimet e tij të shpejta.

“Ndonjëherë një top për Shaqirin është shumë i rëndësishëm, pasi ai është shumë i zgjuar dhe aq i mirë për të depërtuar në hapësira të ngushta. Ne vetëm duhet t'i besojmë atij. Kur ai kërkon topin, të sigurohemi që t'ia japim atij. Mendoj se sa më shumë ta ketë topin, veçanërisht në pjesën e përparme, aq më mirë do të jetë për ne. Do të krijojmë më shumë shanse për të shënuar gola”, është shprehur Hendrickson që ka besim të madh te Shaqiri.

“Ekipi është komponuar mirë për shkak se Shaqiri është një person shumë i afërt. Është një lojtar fantastik që është integruar me lehtësi në ekip. Tani, neve na mbetet që ta vendosim në pozitë më të mirë në fushë dhe të sigurohemi që ai të ketë topin për t’i bërë depërtimet e tij të zakonshme. Ai do të na ndihmojë shumë në sulm dhe për të shënuar gola, kështu që duhet vetëm t’ia pasojmë topin”.

Shaqiri 30-vjeçar iu bashkua ekipit amerikan muajin e shkuar nga skuadra e Lyonit dhe në dy ndeshjet e para të Chicagos në MLS ka qenë i pazëvendësueshëm. Ndeshjen e radhës, Chicago e luan në vikend ndaj D.C Unitedit.