Sport

Leonardo e konfirmon Pochettinon në krye të Parisit

Mauricio Pochettino do të mbetet trajneri i Paris Saint-Germainit, të paktën deri në fund të këtij edicioni. PSG-ja, u eliminua të mërkurën mbrëma në 1/8 e finales nga Real Madridi dhe pas ndeshjes, trajneri Pochettino tha se javët në vazhdim do të jenë të vështira.

Kjo deklaratë e Pochettinos bëri që mediumet franceze të shkruajnë se argjentinasi do të shkarkohet nga drejtuesit e PSG-së pas dështimit në Champions. Megjithatë, drejtori sportiv i klubit, Leonardo ka thënë se Pochettino do të mbetet në krye të Parisit.

“Nuk duhet të hedhim gjithçka. Ne duhet të fillojmë nga e para pas çdo humbjeje. Duhet të përpiqemi ta përmirësojmë ekipin dhe ta ruajmë motivimin e lojtarëve për të luajtur në Ligue 1 dhe ta fitojmë titullin. Duhet të qëndrojmë së bashku”, ka thënë Leonardo. “Pochettino është ende pjesë e projektit për këtë sezon. Nuk është koha për të menduar për largimin e tij”.

Pochettino është në krye të PSG-së prej janarit të vitit të shkuar kur e zëvendësoi Thomas Tuchelin dhe me ekipin francez ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.