Sport

Gjilani synon ta fitojë derbin për t’u bërë lider

Gjilani po synon ta shfrytëzojë humbjen e Ballkanit për t’u rikthyer në pozitën e parë në tabelë pas xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll. E për ta bërë këtë, Gjilani duhet ta fitoj derbin ndaj Dritës. Ndeshja mes Dritës e Gjilanit zhvillohet të enjten prej orës 13:00 dhe është derbi kryesor i kësaj xhiroje që nisi të mërkurën me humbjen e Ballkanit. Skuadra e Ballkanit u mposht të mërkurën në udhëtim nga Malisheva (2:0), duke i dhënë fund serisë prej pesë fitoreve në po aq ndeshje të stinorit pranveror në Superligë. Përkundër humbjes, Ballkani mbetet lider me 48 pikë, dy më shumë se Gjilani që luan me Dritën, e cila është e treta me 41 pikë të grumbulluara. Te Gjilani insistojnë se janë gati për derbi dhe pranojnë se synimi kryesor është fitorja në derbin e madh ndaj Dritës. Në dy ndeshjet e stinorit pranveror Gjilani i ka dy fitore dhe është në një seri prej 18 ndeshjeve pa humbje në kampionat, të cilën është i vendosur ta vazhdojë. Në fakt, Drita në asnjërën prej dy dueleve të mëparshme ndaj Gjilanit nuk ka arritur të shënojë gol.

“Kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë sfidë dhe mbi të gjitha, motivi është më i lartë për të fituar dhe për të vijuar tutje drejt objektivave, të cilat i ka vendosur klubi. Fitorja është imperativ sikurse në çdo ndeshje të tillë, pasi që vetëm me pikë të plota ne mund të arrijmë të realizojmë atë që na është kërkuar nga drejtuesit e klubit”, ka thënë qendërmbrojtësi i Gjilanit, Arbër Prekazi për KOHËN, të mërkurën. “Derbi është i veçantë dhe natyrisht se për këtë ndeshje janë shumë arsye të tjera për të fituar. Po ashtu, në rast të fitores do të dalim në pozitën e parë në tabelë. Premtojmë angazhim maksimal dhe synojmë t'i gëzojmë sërish tifozët me fitore sikurse në vjeshtë”.

E në anën tjetër, Drita synon t’i japë fund serisë prej dy humbjeve rresht. Në xhiron e shkuar Drita pësoi në udhëtim nga Drenica (2:1), disfatë që erdhi pas asaj në shtëpi nga Ballkani (1:0). Qendërmbrojtësi i Dritës, Ardian Cuculi, insiston se ndaj Gjilanit është një ndeshje e veçantë dhe është momenti që nënkampionia në fuqi t’i gëzojë tifozët e saj me fitore, që do të jetë e para këtë edicion përballë rivalit të madh të qytetit. Cuculi beson se ndaj Gjilanit, Drita do t’i japë fund ecurisë së saj negative.

“Do të jetë një ndeshje derbi dhe besoj do të jetë shumë e luftuar. Nuk e kemi menduar këtë ecuri në pranverë, por besoj që rezultatet do të vijnë, sepse të gjitha ekipet kalojnë një krizë dhe shpresoj që nesër të jetë fundi i saj. Nesër është momenti të tregojmë potencialin tonë, do të bëjmë maksimumin që t’i kënaqim tifozët, të cilëve ju detyrohemi shumë, sepse kanë qenë gjithmonë lojtari jonë i 12-të. Me ndihmën e tyre shpresoj që do të ngadhënjejmë dhe të dalim fitimtarë nga kjo përballje. Respektojmë kundërshtarin, ka një ekip shumë cilësor, mirëpo ne kemi objektivat dhe qëllimet tona dhe shpresoj që të luftojmë, të fitojmë e të gëzojmë gjithë ambientin bardhekaltër”, ka thënë Cuculi.

Edhe trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se pret që derbi të jetë një pikë kthese për ekipin e tij. Sipas tij, motivi është i lartë në kampin e Dritës dhe beson se futbollistët do të japin gjithçka nga vetja për t’u kthyer te fitorja.

“Është një ndeshje e rëndësishme si për ekipin tonë ashtu edhe për tifozët, që është speciale. Te skuadra ime kam parë një motiv të veçantë për këtë ndeshje dhe është punuar mirë në këto dy ditë. Kemi analizuar kundërshtarin në detajet më të vogla, dhe mund të them se bëhet fjalë për një kundërshtar që nuk është mposhtur në 20 ndeshje dhe ka individë cilësorë në radhët e veta. Por gjithashtu kemi edhe ne armët tona dhe potencialin tonë. E kemi parasysh vlerën e tri pikëve në këtë takim dhe pas mungesës së rezultateve, do të jetë shumë e rëndësishme të kthehemi te fitorja dhe të vazhdojmë rrugën drejt objektivit që e kishim prej fillimit të kampionatit”, shtoi Nuhiu. “Do të jetë një pikë kthese, sepse na kanë munguar rezultatet, por momentin që fitohet derbi, do të ngrihet morali në skuadër për t’u kthyer dhe vazhduar një kampionat më të mirë”.

Nën hijen e këtij derbi, të mërkurën në të njëjtën kohë luhet edhe dueli mes Llapit e Drenicës në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Llapi vjen pas humbjes nga Ballkani (1:0) që e pësoi vikendin e shkuar, ndërsa Drenica është e motivuar pas triumfit ndaj Dritës (2:1). Llapi zë vendin e katërt në tabelë me 39 pikë të mbledhura, tetë më shumë se Drenica që është e pesta.

E mërkurë

Malisheva – Ballkani 2:0

Ulpiana – Dukagjini 1:1

Feronikeli – Prishtina 0:3

E enjte (13:00)

Drita – Gjilani

Llapi – Drenica

  • 1. Ballkani 24 14 6 4 33:17 48
  • 2. Gjilani 23 12 10 1 33:18 46
  • 3. Drita 23 12 5 6 33:16 41
  • 4. Llapi 23 11 6 6 38:25 39
  • 5. Drenica 23 9 4 10 28:28 31
  • 6. Prishtina 24 7 8 9 29:25 29
  • 7. Malisheva 24 8 5 11 29:28 29
  • 8. Dukagjini 24 5 10 9 22:29 25
  • 9. Ulpiana 24 5 8 11 22:40 23
  • 10. Feronikeli 24 3 2 19 9:50 11