Sport

Suedia frikësohet se përjashtimi i Rusisë do ta ndihmojë Poloninë

Federata e Futbollit e Suedisë tha të mërkurën se besonte që përfaqësuesja e saj mund të jetë në disavantazh pasi FIFA konfirmoi se Rusia do të përjashtohet nga plejofi i Kampionatit Botëror “Katari 2022” për shkak të pushtimit të Ukrainës. Organi drejtues i futbollit botëror tha të martën se Polonia, me të cilën Rusia duhej të përballej në gjysmëfinalen e plejofit në fund të këtij muaji, do të avancojë në finalen e plejofit për shkak të përjashtimit të rusëve. Polonia do të përballet me fituesit e ndeshjes tjetër gjysmëfinale të plejofit mes Suedisë dhe Çekisë për një vend në Botërorin e Katarit që mbahet në fund të këtij viti. Dueli mes Suedisë dhe Çekisë do të luhet më datën 24 mars në stadiumin “Friends Arena” në Stockholm.

Finalja e plejofit do të zhvillohet më 29 mars, pesë ditë pasi suedezët dhe çekët do të luajnë me njëri-tjetrin, duke ua dhënë potencialisht një avantazh polakëve që do të pushojnë mirë. Kreu i Federatës suedeze të futbollit, Hakan Sjostrand, tha se do të kishte preferuar nëse FIFA do të kishte gjetur një kundërshtar të ri për Poloninë në vend të Rusisë.

“Gjëja më e arsyeshme dhe e drejtë, në nivel sportiv, do të kishte qenë që Polonia të kishte një kundërshtar të ri në gjysmëfinalen e plejofit”, tha Sjostrand. “Ne e kuptojmë se është një situatë e vështirë për t'u zgjidhur nga FIFA, por megjithatë duhet të zbatohet parimi i të luajturit në të njëjtat kushte, me fjalë të tjera të luhen dy ndeshje konkurruese për të arritur në fazën finale të Kupës së Botës”.

Përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, e përgëzoi FIFA-n për veprimin e bërë. Ai tha se FIFA ka marrë vendimin e duhur për të përjashtuar Rusinë nga plejofi. Mirëpo, Andersson e përshkroi vendimin për t'ia dhënë Polonisë kualifikimin e lirë në finale si “plotësisht të çmendur nga pikëpamja sportive”.

“Duke thënë këtë ne do të fokusohemi tërësisht në përgatitjen për ndeshjen kundër Çekisë. Duam të shkojmë në Kupën e Botës dhe do të bëjmë gjithçka për ta arritur këtë”, u shpreh Andersson. “Megjithatë, FIFA nuk ka menduar aspak në aspektin sportiv pasi në këtë rast Polonia është në epërsi ndaj nesh”.

FIFA konfirmoi gjithashtu se ndeshja tjetër e plejofit ndërmjet Ukrainës dhe Skocisë do të shtyhet deri muajin qershor pas një kërkese nga ana e Federatës ukrainase të futbollit për shkak të gjendjes së krijuar në vendin e tyre pas sulmeve të Rusisë. Ndërkohë Rusia, e cila priti Kupën e Botës në vitin 2018, të martën paraqiti një apel në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër pezullimit të saj nga të gjitha garat ndërkombëtare “deri në njoftimin e mëtejshëm” që e mori nga FIFA dhe UEFA. Kampionati Botëror “Katari 2022” do të nisë më 21 nëntor dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor, kur luhet ndeshja finale e këtij turneu.