Sport

Durimi i Etrit Berishës

Descriptive Text

Etrit Berisha e ka ditur se do të vijë momenti i tij te Torino dhe se do ta bëjë debutimin me këtë skuadër në Serie A.

Portieri i Shqipërisë, që iu bashkua Torinos para fillimit të këtij edicionit, është treguar i durueshëm dhe ka punuar fort në stërvitje për të qenë plotësisht i gatshëm kur t’i jepet rasti të jetë në portë. Të dielën Berishës iu dha rasti të paraqitet për Torinon në kampionatin italian. Ai ishte titullar në barazimin pa gola ndaj Bolognas, duke e zëvendësuar Vanja Milinkoviq-Saviqin e lënduar e që është portieri i parë i Torinos këtë edicion.

Për Berishën kjo ishte paraqitja e parë te Torino në Serie A, ndërsa e ka edhe një ndeshje në kuadër të Kupës së Italisë. Në një intervistë për KOHËN, Berisha pranoi se është ndier mirë që u paraqit në xhiron e 28-të, pas një kohe të gjatë pa aktivitet.

“Të them të drejtën nuk e kam menduar se kur do të vijë ky moment, por kam menduar që të përgatitem dhe të jem gati, pasi nuk është varur nga unë. Mirëpo e kam ditur që një ditë do të vijë ky moment dhe me siguri që jam i kënaqur që luajta ndaj Bolognas, pasi që është bërë një kohë e gjatë pa luajtur”, është shprehur Berisha të hënën.

Berisha 32-vjeçar, thotë se roli i portierit dallon prej atij të lojtarit. Sipas tij, si portier duhet të jesh i durueshëm dhe në momentin që të jepet mundësia për ta luajtur ta shfrytëzosh për t’i bindur të gjithë në ekip. Ai shtoi se dueli ndaj Bolognas ishte i vështirë.

“Roli i portierit është më ndryshe sesa ai i lojtarëve. Nëse nuk je i durueshëm, duhet ta ndërrosh profesionin. Gjëja më e rëndësishme që duhet ta bësh është të jeni gati, sepse në atë moment që të vjen mundësia duhet të jeni bindës, edhe pse gjithmonë në fillim është më vështirë pasi që ndeshja e parë është më e vështira. Mirëpo, pas ndeshjes së parë vjen vetëbesimi dhe gjërat bëhen më të zakonshme”, shtoi Berisha.

Ai shton se synimi i Torinos ishte ta fitonte ndeshjen ndaj Bolognas, por pranon se edhe barazimi kur nuk pëson gol mund të konsiderohet si një rezultat i mirë. Berisha vlerëson se konkurrenca te Torino është e fortë në secilën pozitë, jo vetëm në atë të portierit. Dhe shton se të gjithë lojtarët e japin maksimumin në stërvitje për ta bindur trajnerin Ivan Juriq se e meritojnë një vend titullari.

“E kemi bërë një paraqitje shumë të mirë ndaj Bolognas, ku kemi krijuar shumë raste për të shënuar gol. Në fund të fundit kur nuk arrini të fitoni është mirë edhe një barazim. Ndërsa për një portier është edhe më mirë kur nuk pranon gol. Kështu që jam i kënaqur që nuk pranova gol”, tha Berisha. “Konkurrenca është shumë e fortë në një ekip të madh si Torino. Nuk ka konkurrencë vetëm në rolin e portierit, por edhe në mesfushë dhe sulm. Të gjithë mundohemi që ta dëshmojmë veten dhe ta bindim trajnerin me atë që tregojmë në stërvitje dhe lojë”.

Aktualisht Torino zë vendin e 11-të në Serie A me 34 pikë të tubuara dhe një ndeshje me pak të luajtur. Berisha thotë se ka edhe shumë ndeshje deri në fund të sezonit dhe për këtë arsye, nuk mund të saktësojë qëllimin që e ka Torino. Pasi u paraqit me Bolognan, Berisha shpreson që ta ketë rastin të aktivizohet edhe në duelet e tjera.

“Tani kemi edhe dhjetë ndeshje deri në fund të sezonit, si për mua ashtu edhe për pjesën tjetër të ekipit. Është ende herët të dihet synimi i qartë i klubit këtë sezon, por gjëja më e rëndësishme është që të gjithë të punojmë shumë dhe të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Mendoj se gjatë ndeshjeve të ardhshme mund ta kuptojmë se cili është synimi ynë”.

Berisha u transferua te Torino para fillimit të këtij edicioni dhe me ekipin nga Serie A ka kontratë deri në verën e vitit 2024. Ai prej vitit 2013 bën karrierë në futbollin italian dhe ka qenë pjesë e skuadrave si Lazio, Atalanta e SPAL. Në fund të këtij muaji, Berisha pritet të ftohet nga Përfaqësuesja e Shqipërisë për ndeshjet miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë. Duelin me Spanjën, Shqipëria e luan në udhëtim më 26 mars ndërsa tri ditë më vonë e pret Gjeorgjinë.