Sport

Vendimi i Abramovichit për ta shitur Chelsean shënon fundin e një epoke të jashtëzakonshme

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, ka thënë se planifikon ta shesë klubin.

Në një komunikatë në sajtin zyrtar të klubit të Premier Leagues, afaristi Abramovich ka thënë se “ishte një vendim tepër i vështirë për të marrë” dhe një vendim që “i dhemb”.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, Abramovich ua la drejtimin e klubit administratorëve të fondacionit të Chelseat.

Në deklaratë rusi Abramovich ka thënë se nuk do të kërkojë të shlyhet asnjë hua dhe të ardhurat nga shitja e klubit do të dhurohen për viktimat e luftës.

Më herët të mërkurën miliarderi Hansjorg Wyss ka thënë se i ishte ofruar mundësia për ta blerë klubin nga Londra perëndimore.

Për 55-vjeçarin Abramovich dyshohet se ka lidhje të forta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjë të cilën e ka mohuar ai.

Ai thotë se të gjitha të ardhurat neto nga shitja e klubit do të dhurohen për viktimat e luftës në Ukrainë.

Në deklaratën e Abramovichit thuhet: ”Unë gjithmonë kam marrë vendime në interesin më të mirë të klubit të zemrës. Në situatën aktuale kam marrë vendimin për të shitur klubin pasi besoj se kjo është në interesin më të mirë të klubit, tifozëve, punonjësve si dhe sponsorëve dhe partnerëve të klubit. Shitja e klubit nuk do të bëhet me nguti, por do të jetë një proces i rregullt. Unë nuk do të kërkoj që të shlyhet asnjë hua. Kam udhëzuar ekipin tim të krijojë një fondacion bamirësie ku të gjitha të ardhurat neto nga shitja do të dhurohen. Fondacioni do të jetë në dobi të të gjitha viktimave të luftës në Ukrainë”.

Abramovich e ka blerë Chelsean në vitin 2003 për 140 milionë funte. Thotë se drejtimi i klubit nuk ka qenë kurrë për biznes e as për para, por për pasion të pastër për lojën dhe klubin.

Që nga blerja e klubit nga Abramovichi, Chelsea është transformuar plotësisht, duke vendosur model se sa duhet të investohet për të garuar në krye të Premier Leagues.

Në total, Abramovich i ka huazuar klubit më shumë se 1.5 miliardë funte, gjë që e ka ndihmuar për të arritur suksese të mëdha.

Nën pronësinë e tij, Chelsea ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, së fundi vitin e kaluar. Chelsea i Abramovichit ka fituar pesë herë Premier Leaguen dhe Kupën FA, dy herë Ligën e Evropës dhe tri herë Kupën e Ligës.

Në gusht të vitit 2021, Chelsea e fitoi Superkupën e UEFA-s, ndërsa në shkurt e ka fituar për herë të parë Botërorin e klubeve. Kjo nënkupton se Chelsea ka fituar secilin trofe të madh të mundshëm qëkur Abramovichi mori drejtimin e klubit.

Miliarderë të tjerë rusë tashmë kanë qenë subjekt i sanksioneve të Bashkimit Evropian, ku pasuritë e tyre janë ngrirë. Kjo ka përfshirë miliarderin Alisher Usmanov, që ka lidhje komerciale me Evertonin. Mbretëria e Bashkuar nuk ka sanksionuar ende Abramovichin apo Usmanovin, por deputeti laburist, Chris Bryant tha në parlament të martën se Abramovich ishte “i tmerruar nga sanksionimi dhe se ai do ta shesë shtëpinë e tij të mërkurën”.

Ka pasur më shumë presion nga politika, ndërsa klubi londinez pritet të shitet të paktën tre miliardë funte. Dy oferta i presin te Chelsea deri në fund të javës.