Sport

Usyk për mbrojtjen e Ukrainës: Nuk ka frikë, absolutisht nuk ka frikë

Descriptive Text

Kampioni i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, Oleksandr Usyk, thotë se “vendi dhe nderi” janë më të rëndësishëm se çdo luftë në ring. Usyk ka thënë kështu ndërsa po bëhet gati për ta mbrojtur kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, nga pushtimi i forcave ruse.

35-vjeçari, që mposhti britanikun Anthony Joshua në shtator për t’u bërë kampion në shumicën e versioneve të boksit profesionist, është bërë pjesë e ushtrisë së Ukrainës.

“Nuk ka frikë, absolutisht nuk ka frikë”, ka thënë Usyk për CNN.

“Ka thjesht hutim – si mund të ndodhë kjo në shekullin 21”, ka vazhduar ylli i ringut.

Usyk, që ka folur në videolidhje dhe përmes një përkthyesi nga një bazë në Kiev, ka thënë se nuk e di nëse ka gjasa për të realizuar planin për një rimeç me Joshuan në muajin maj.

“Vërtet nuk e di se kur do të paraqitem sërish në ring”, ka thënë Usyk.

“Vendi im dhe nderi im janë më të rëndësishëm se brezat e kampionit”.

Usyk më herët i ka bërë thirrje popullit rus që t’i rezistojë luftës. Ai po ashtu ka bërë thirrje që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të përfshihet në bisedime për paqe, pa parakushte dhe pretendime për territorin e Ukrainës.

Ai është njëri prej shumë boksierëve dhe ish-boksierëve ukrainas që janë kthyer në vend për t’iu bashkuar luftës.

Vasiliy Lomachenko, kampion i botës në tri kategori të ndryshme, po ashtu ka marrë armët. Lomachenko ka edhe dy medalje të arta olimpike nga koha e tij si boksier amator. Vëllezërit Vitali dhe Wladimir Klitschko, të dy ish-kampionë të botës në kategorinë e rëndë, janë po ashtu në Kiev.

Vitali është kryetar i Kievit që nga viti 2014, ndërsa Wladimiri u është bashkuar forcave rezervë të ushtrisë muajin e kaluar.

“Në Kiev ka lëvizje të hatashme për mbrojtjen e civilëve”, ka thënë Vitali për BBC News.

“Është shumë i gjatë rreshti i të rinjve që janë të gatshëm të marrin armët dhe të jenë pjesë e mbrojtjes civile të qytetit tonë”.

“Ne po luftojmë për demokraci dhe për të drejtat tona”, ka shtuar Wladimir.

“Gjëra të tmerrshme kanë ndodhur në ditët e kaluara: burra, gra dhe fëmijë kanë vdekur. Por, unë jam krenar me burrat dhe gratë tona që janë gati për të mbrojtur vendin tonë dhe fëmijët tanë”, ka shtuar ish-kampioni i botës në boks.