Sport

Celina lëshon shtëpinë në Norvegji për refugjatët ukrainas

Bersant Celina do ta lëshojë shtëpinë e tij në Norvegji për refugjatët ukrainas.

Reprezentuesi i Kosovës dhe futbollisti i skuadrës Ipswich Town në Angli, ka thënë se ideja ka qenë e babait të tij.

“Ishte ideja e babait. Ai tha se do të ishte gjë e madhe nëse do ta ndihmonim një familje që është dashur të largohet nga Ukraina”, ka thënë Celina, i cili ishte trevjeçar kur u largua nga Kosova për shkak të luftës, për të ndërtuar jetë të re në Norvegji.

“Është kohë e vështirë për momentin dhe unë dua të ndihmoj. Familja ime kaloi të njëjtën situatë kur jetonim në Kosovë. Nuk mund t’i ndihmosh të gjithë, por mund të bësh ndryshim për dikë. Nuk më kujtohet se çfarë ka ndodhur në kohën time, por nëna dhe babai më kanë treguar. Ia arritëm të largoheshim pak para nisjes së luftës në Kosovë. Unë, nëna ime dhe vëllai shkuam në Norvegji. Babai ishte ende në Kosovë dhe është dashur të largohet nga vendi në një mënyrë tjetër. Ishte kohë e vështirë. Natyrisht se ka pasur shumë njerëz që ishin në rrezik dhe shumë të tjerë që kanë vdekur. Ishte e frikshme”, theksoi ai.

Familja Celina do të flasë me autoritetet norvegjeze për ta strehuar një familje ukrainase që me lokacion është në Drammen, 32 kilometra larg Oslos, qyteti ku u rrit futbollisti i Kosovës.

Bersant Celina ka qenë pjesë e skuadrave si Stromsgodseti, Manchester City, Twente, Swansea e Dijoni. Te Ipswichi po luan si i huazuar nga skuadra franceze.