Sport

Një olimpiste nga “Tokio 2020” për skuadrën e Istogut

Një hendbolliste, që ishte në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, do të luajë në palestrat kosovare në pranverë. Bëhet fjalë për Dayane Rocha, që ishte pjesë e Brazilit në Lojërat Olimpike Verore të vitit të kaluar.

Rocha ishte aktivizuar në dy ndeshje me Brazilin në Olimpiadë. Brazili kishte barazuar me Rusinë dhe kishte fituar ndaj Hungarisë. Por humbi me Spanjën, Suedinë dhe Francën për ta mbyllur garën në fazën grupore.

Rocha është 30-vjeçare dhe mbulon pozitën e alos së majtë. Te Istogu e zëvendëson Albina Rugovën, kapitenen e skuadrës që ka pësuar lëndim të rëndë dhe do të mungojë për kohë më të gjatë.

Pos te skuadrat braziliane, Rocha ka luajtur edhe për Vardarin e Shkupit, Molden në Norvegji dhe skuadrën spanjolle Salud Tenerife. Te Vardari ishte në kohën kur kjo skuadër i takonte elitës evropiane.

Istogu në përbërje ka disa lojtare nga Mali i Zi, ndërsa nga ky vend ka angazhuar edhe një hendbolliste tjetër. Po ashtu ka kthyer Elma Kamerin, që për shumë vjet ishte prej hendbollisteve më të mira në Kosovë. Istogu udhëheq në Superligë, kurse i ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme.

Ndodh rrallë që sportistë të nivelit olimpik vendosin për ta vazhduar karrierën në Kosovë.