Sport

Trajneri i Sheriffit, Vernydub, i bashkohet luftës kundër Rusisë

Trajneri i futbollit nga Ukraina, Yuriy Vernydub, është fotografuar me uniformën e ushtrisë pasi thuhet se i është bashkuar mbrojtjes territoriale të vendit, kanë njoftuar mediumet e huaja të hënën. Vernydub është trajneri i Sheriff Tiraspolit në Moldavinë fqinje, një skuadër që shkroi historinë në Ligën e Kampionëve pas fitores së papritur ndaj Realit Madridit (2:1) në shtator të vitit të shkuar në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Por vetëm pesë muaj më vonë, njeriu që udhëhoqi ekipin e tij drejt fitores së famshme në fazën e grupeve të Championsit po përgatit veten për luftë pasi Rusia pushtoi Ukrainën. Një fotografi e trajnerit të Sheriff Tiraspolit u ngarkua në rrjetin social Twitter nga Zorya Londonsk, një llogari e menaxhuar nga gazetari Andrew Todos. Në foto, Vernydub 56-vjeçar shihet me krenari duke e bartur uniformën e ushtrisë së Ukrainës.

Pretendohet se ai u është bashkuar përpjekjeve të mbrojtjes territoriale të vendit në mes të ngjarjeve tragjike të vazhdueshme në Ukrainë. Vernydub është në krye të Sheriff Tiraspolit prej vitit 2020, ndërsa më herët ka drejtuar edhe skuadrat si Shakhtyor Soligorsk (Bjellorusi) e Zorya Luhansk (Ukrainë). Si futbollist aktiv, ai kryesisht ka luajtur në Ukrainë ndërsa karrierën e ka mbyllur në vitin 2000 te skuadra nga Rusia, Zenit Shën Petersburg. Vernydub është bërë figura e fundit sportive nga Ukraina që iu bashkua përpjekjeve të luftës.

Kampioni i botës në boks në kategorinë e rëndë, Oleksandr Usyk, është fotografuar duke mbajtur një armë në vijën e parë të frontit. Usyk, 35-vjeçar, baba i tre fëmijëve, tashmë i është bashkuar mbrojtjes territoriale të Kievit. Krahas tij, edhe boksieri tjetër nga Ukraina, Vasiliy Lomachenko, gjithashtu ka marrë armën për ta mbrojtur vendin e tij pasi është fotografuar me një automatik të vendosur mbi supe. Lomachenko raportohet se është regjistruar në mbrojtjen territoriale të qytetit të tij.

“Bataliani i mbrojtjes territoriale ‘Belgorod-Dneister’ është formuar dhe armatosur. Boksieri Vasyl Lomachenko është në mbrojtje të vendit të tij”, ka thënë kryetari i kësaj zone, Vitaliy Hrazhdan.

Para tyre, ish-boksierët e kategorisë së rëndë, vëllezërit Vitali e Wladimir Klitschko tashmë i kanë marrë armët për ta luftuar Rusinë. Vitali është kryebashkiak i kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, dhe do t’i shërbejë vendit të tij në vijën e parë. Ndërsa Wladimiri është regjistruar në forcat rezervë të ushtrisë ukrainase. Presidenti i organizatës “WBC Ukraine”, Mykola Kovalchuk, duartrokiti qëndrimet e boksierëve për t’i dalë në mbrojtje atdheut.

“Ne jemi shumë krenarë për boksierët tanë, kampionët tanë të vërtetë në boks dhe kampionët në këtë luftë”, tha Kovalchuk për ESPN. “Ne jemi krenarë që jemi ukrainas”.