Sport

Rusi Soloveychik jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Federatës Evropiane të Xhudos

Rusi Sergey Soloveychik më nuk është president i Federatës Evropiane të Xhudos (EJU). Soloveychik ishte në krye të EJU-së që nga viti i largët 2007. Ai ka dhënë dorëheqje të dielën mbrëma në takimin digjital të Komitetit Ekzekutiv të EJU-së.

Pas dorëheqjes së tij, gjermani Otto Kneitinger në mënyrë unanime është zgjedhur president i përkohshëm i EJU-së.

“Për të ruajtur unitetin në radhët tona duhet të jap dorëheqje si president i Unionit Evropian të Xhudos. Ju më njihni për vjet të tëra dhe askush nuk dyshon se zemra ime i përket xhudos. Por është po aq e vërtetë se i takon edhe atdheut tim, Rusisë. Ne, xhudistët, duhet gjithnjë të jemi besnik ndaj parimeve tona. Jam i sigurt se vullneti i mirë do të mbizotërojë. Ju bëj thirrje që të lini mënjanë emocionet që na pushtojnë momentalisht dhe të gjeniu forcën për të filluar të kthejmë paqen e humbur në zemrat tona”, thuhet në një letër të Soloveychikut.

Ai ishte i vlerësuar për punën e bërë në Unionin Evropian. Por për shumë kohë EJU-ja ka mbetur në hije të plotë të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.