Sport

Dy çeçenë përfaqësojnë Shqipërinë në mundje, fitojnë medalje të arta

Dy mundës çeçenë Islam Dudaev e Zelimkhan Abakarov, janë duke e përfaqësuar Shqipërinë.

Ata kanë nisur të regjistrojnë sukseset e para me ngjyrat e Shqipërisë. Fituan medalje të arta në turneun botëror DanKolov – Nikola, të zhvilluar në Bullgari, raporton Top Channel.

Abakarov fitoi në kategorinë deri 61 kilogramë në stil të lirë. Për të është medalja e dytë për pak javë. 29-vjeçari më parë kishte përfaqësuar Rusinë.

Ndërkohë medalje të artë fitoi edhe Islam Dudaev, në kategorinë deri 65 kilogramë.

Dy çeçenët po shihen si pretendëntë për të arritur suksese në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Hungari në mars.

Kohëve të fundit është bërë dukuri që sportistët nga shtetet tjera të përfaqësojnë Shqipërinë.

Gjimnasti rus Matvei Petrov po e përfaqëson Shqipërinë, ndërsa fitoi të artën në Kampionatin Evropian të mbajtur në Mersin në vitin 2020.

Ai përfaqësoi Shqipërinë edhe në Lojërat Olimpike në Tokio, por ishte larg zonës medalje.

Ndërkohë po ashtu Shqipërinë në mundje po e përfaqëson italiani Marco Maddaloni.