Sport

Batatina dhe Jashari kërkojnë pikë të plota kundër Feronikelit

Llapi do të përballet me Feronikelin, në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Kjo ndeshje do të luhet të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë prej orës 13:00.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka vlerësuar si ndeshje të rëndësishme takimin me Feronikelin dhe ka kërkuar pikë të plota.

“Ne kemi një ndeshje me rëndësi para vetes dhe nuk ka rëndësi se me kë përballemi. Ne si skuadër jemi të vetëdijshëm që ndeshja duhet të fitohet. Ndeshja fitohet vetëm në fushë dhe ne si skuadër kemi marrë të gjitha masat që pas ndeshjes së kaluar që kishim me Dritën të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e nesërme me Feronikelin që të paraqitemi sa më mirë ndaj tyre. Ne duhet të futemi në ndeshje për ta fituar ndeshjen. Llapi brenda vetes ka dy skuadra dhe kjo na gëzon gjatë rrugëtimit tonë. Secili lojtar që futet nesër në ndeshje duhet ta jap maksimumin”, u shpreh Batatina në konferencën për media.

Fitore kërkon edhe mbrojtësi Dardan Jashari.

“Ne si çdo ndeshje tjetër do të hyjmë me seriozitet maksimal edhe ndaj Feronikelit, pavarësisht problemeve që i ka kjo skuadër. Për ne do të jetë një ndeshje 'finale' si çdo ndeshje tjetër e radhës për t'i arritur bashkërisht objektivat e klubit. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur maksimalisht që të vijmë sa më shpejt tek goli dhe pse jo të realizojmë sa më shumë gola. Ndeshje e rëndësishme për ne. Prej minutës së parë do japim 100% nga vetja. Nuk do t'ia lëmë asgjë kohës dhe shpresojmë në fitore”, tha Jashari.