Sport

Tërbimi, lotët e adoleshenteve dhe kolapsi olimpik

Descriptive Text

Medalistja e artë tha se ndihej bosh. Fituesja e medaljes së argjendtë u zotua se nuk do të bëjë më kurrë patinazh. Ndërsa e preferuara e publikut u largua nga skena me lot, pa thënë asnjë fjalë.

Pas njërës prej netëve më dramatike në historinë e patinazhit artistik, treshja adoleshente ruse u fut në një të ardhme të pasigurt. Lojërat Olimpike dhe jeta e saj u kthyen përmbys nga një rast dopingu. Mbajtësja e rekordeve botërore, Kamila Valieva, përballet me një suspendim të mundshëm, ndërsa një trajnere e kritikoi rusen për paraqitjen e saj katastrofale të enjten mbrëma.

“Pse u dorëzove? Pse nuk luftove deri në fund”, ishin fjalët e trajneres së ashpër, Eteri Tutberidze, pas paraqitjes së Valievas 15-vjeçare. Ajo u rrëzua dy herë dhe mbeti pa medalje.

Valieva gjithashtu do të hetohet për dështimin e saj në testin e dopingut para fillimit të Lojërave Olimpike të Pekinit.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach, tha se ai ishte i shqetësuar nga presioni intensiv mbi patinazhistet e reja, veçanërisht ndaj Valievas, dhe kritikoi trajnerët e saj pa përmendur emrin e Tutberidzes.

“Kur më pas pashë se si reagoi ndaj patinazhistes së re, të them të drejtën ishte rrëqethëse për mua ta shihja një skenë të tillë”, tha Bach në një konferencë shtypi të premten. “Në vend që ta ngushëllonte apo të përpiqej ta ndihmonte ajo i bënte presion edhe më të madh. Kjo nuk është aspak në rregull”.

Për shkak të këtyre veprimeve disa kanë kërkuar që të bëhet rritja e moshës minimale në patinazhin artistik në Lojërat Olimpike nga 15 vjet në 17 ose 18 vjet.

Valieva u rendit e katërta dhe u largua me lot. Ajo mori një mesazh mbështetjeje nga fituesja e medaljes së argjendtë nga viti 2018, Evgenia Medvedeva.

“Jam shumë e lumtur që ky ferr ka mbaruar për ty”, shkroi Medvedeva në “Instagram”.

“Unë me të vërtetë të vlerësoj dhe të dua. Jam e lumtur që mund të pushosh tani, zemër. Ju përgëzoj për përfundimin e Lojërave Olimpike dhe shpresoj që të jetoni e qetë dhe të merrni frymë”.

Fatkeqësisht për Valievan ajo ende nuk mund të pushojë. Testi i dështuar i dopingut, i cili e ktheu jetën e saj përmbys, ende i qëndron mbi kokë. Ajo u lejua të vazhdonte garat e patinazhit në Pekin nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, për të shmangur “dëmtimin e pariparueshëm”. Por ai vendim është i vlefshëm vetëm derisa të përfundojë një hetim i plotë për testin e saj të 25 dhjetorit për substancën e ndaluar trimetazidine. Rasti mund të zgjasë me muaj dhe ende t'i kushtojë Valievas dhe shoqeve të saj ruse me medaljen e artë që e fituan në ngjarjen ekipore të javës së kaluar.

Nënkampionia Alexandra Trusova ishte gjithashtu në dëshpërim pasi pesë rrotullimet e saj rezultuan të pamjaftueshme për të mposhtur shoqen e skuadrës, Anna Shcherbakovan, në garë për medaljen e artë.

“E urrej këtë sport”, bërtiti ajo në skenë kur u shpallën fitueset. “Unë nuk do të dal më në akull”.

Trusova tha se ishte e kënaqur me performancën por jo me rezultatin, i cili shkoi në favor të Shcherbakovas që tuboi pikë të mjaftueshme për ta fituar të artën.

Trusova dëgjohej duke qarë pasi ishte e vetmja pa medalje të artë. Ruset fituan garën ekipore duke përdorur Valievan dy herë në vend që të lejonin Shcherbakovan ose Trusovan të bënin patinazh në një nga programet e vajzave. Kjo fitore mund t’i hiqet Rusisë për shkak të rastit të dopingut të Valievas. Trusova më vonë tha se komentet e saj për të mos bërë patinazh përsëri kishin qenë “emocionale”, por nuk u zotua të garonte në kampionatin botëror të muajit të ardhshëm.

Nga tri adoleshentet, Trusova ka pasur marrëdhënien më të vështirë me trajneren Tutberidze. Ajo ndërroi trajnerin për një kohë të shkurtër, duke u rikthyer në kampin e Tutberidzes në maj të vitit të kaluar. Dhe përzgjedhja e saj muzikore dukej se dërgonte një mesazh.

Shcherbakova dukej e pasigurt se si të reagonte në dramën që po shpalosej rreth saj dhe tha se i vinte keq për Valievan.

“Unë ende nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur. Nga njëra anë ndihem i lumtur, nga ana tjetër ndiej këtë zbrazëti brenda vetes”, tha ajo.