Sport

Edhe Atalanta pas Januzajt

Pas Napolit edhe një ekip tjetër nga Serie A është futur në garë për transferimin e Adnan Januzajt. Mediumet italiane kanë njoftuar të martën se Atalanta ka shprehur interesim për Januzajn, i cili ende nuk ka rinovuar kontratën me Real Sociedadin që i skadon në fund të këtij sezoni.

Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini po e sheh Januzajn si përforcim të duhur për sezonin e ardhshëm dhe ka kërkuar nga krerët e klubit transferimin e tij.

Januzaj është i lirë të negociojë me skuadrat tjera dhe të nënshkruajë parakontratë, ndonëse te Sociedadi po duan ta mbajnë në ekip edhe për disa vite. Këtë sezon, Januzaj është njëri prej lojtarëve kryesor te Sociedadi me katër gola e tre asistime në 33 ndeshje në të gjitha garat.

Megjithatë, Januzaj pritet t’i mungojë Sociedadit për dy ndeshjet e ardhshme, atë me Leipzigun të enjten në kuadër të Ligës së Evropës dhe Athletic Bilbaon në La Liga për shkak të lëndimit të muskulit të këmbës. 27-vjeçari është pjesë e ekipit spanjoll prej vitit 2017.