Sport

Flluska ambicioze e COVID-it po tregohet efikase në Olimpiadë

Për një shtet të vendosur për ta mbajtur jashtë virusin që u shfaq fillimisht brenda kufijve të tij, sjellja e më shumë se 15.000 sportistëve nga të gjitha cepat e botës ishte një bast shumë serioz.

Megjithatë, duket se po funksionon. Ka kaluar një javë e ngjarjes 17 ditore, ndërsa Kina duket se po përballet me sukses me sfidën e saj të frikshme olimpike, COVID-19. Këtë po e bën përmes një të ashtuquajture “flluskë”, që u lejon pjesëmarrësve të Lojërave të Pekinit ta kalojnë karantinën, por kufizon fuqishëm lëvizjen e tyre në mënyrë që të mos vijnë në kontakt me popullatën e gjerë.

Ka pasur 490 raste të konfirmuara, shumë prej tyre pa simptoma. Brenda flluskës organizatorët olimpikë po përdorin një version të qasjes së Qeverisë kineze me tolerancë zero. Të gjithë testohen çdo ditë për virusin dhe kushdo që rezulton pozitiv izolohet me shpejtësi për të parandaluar çdo përhapje. Sportistëve dhe të tjerëve u kërkohet të mbajnë maska ​​për fytyrë kur nuk garojnë.

“Me siguri gjëja më e rrezikshme që Kina e ka bërë deri më tani është organizimi i Lojërave Olimpike. Dhe nëse mund ta kalojnë këtë, atëherë kinezët mund të vazhdojnë të përdorin këtë strategji për të mbajtur nën kontroll shpërthimet e lokalizuara të virusit për një kohë të gjatë”, tha Karen Grepin, një eksperte e shëndetit publik në Universitetin e Hong-Kongut.

Kina ka kufizime të rrepta për atë se kush mund të hyjë në këtë vend. U kërkon të gjithëve që të futen në karantinë në hotelet e caktuara për dy deri në tri javë. U përgjigjet edhe shpërthimeve më të vogla të koronavirusit me mbyllje të ndërtesave dhe lagjeve, të ndjekura nga testime masive të të gjithë banorëve për të çrrënjosur dhe izoluar rastet pozitive.

Strategjia nuk është pa kosto. Në prag të Lojërave Olimpike, Kina zgjeroi bllokimet e saj në qytete të tëra me më shumë se 10 milionë banorë për të frenuar shpërthimet, duke detyruar fabrikat dhe dyqanet jo thelbësore të mbyllen dhe duke kufizuar njerëzit në komplekset e tyre të banimit. Një zonë jugperëndimore prej rreth 4 milionë njerëzish në kufi me Vietnamin është mbyllur këtë javë për shkak të një shpërthimi që ka infektuar rreth 180 persona. Në Pekin, dy lagje banimi mbeten të mbyllura për shkak të një numri të vogël rastesh dy javë më parë.

Zona e mbyllur, siç quhet zyrtarisht flluska e Olimpiadës, ka krijuar dy botë të veçanta. Sportistët dhe pjesëmarrësit e tjerë nuk janë në gjendje të vizitojnë vendet turistike të Pekinit ose restorantet dhe baret. Ata mund ta shohin qytetin vetëm nga dritaret e autobusëve që i transferojnë nga vendet e akomodimit në vendet ku garojnë dhe mbrapa. Si hotelet e pjesëmarrësve ashtu edhe vendet e garave janë të rrethuara me mure të përkohshme. Rojet janë vendosur për të mos lejuar njerëzit të dalin ose të hyjnë. Jashtë, jeta vazhdon normalisht për shumicën në kryeqytetin e vendit. Grupe të zgjedhura - fëmijë shkollash, sponsorë korporatash, grupe të sporteve dimërore, diplomatë të huaj dhe gazetarë, ndër të tjerë - po ftohen t’i mbushin pjesërisht tribunat. Por, shumica e kinezëve i ndjekin Lojërat në telefonat ose televizorët e tyre.

“Ne nuk mendojmë se Lojërat Olimpike Dimërore janë larg jetës sonë”, tha Yi Jianhua, një pensionist nga provinca Hunan që vizitoi vajzën e tij në Pekin. “Mund ta shikojmë në televizor dhe celular. Edhe pse nuk mund të jemi në vend, ne ende i kushtojmë vëmendje sepse kjo është një ngjarje madhështore. Po, ka keqardhje, por është e pranueshme”.

Kina ka pasur shpërthime të shpërndara të virusit në muajin e kaluar, por asnjë nuk ka lidhje me Lojërat Olimpike. Të premten autoritetet shëndetësore raportuan 22 raste të reja në një shpërthim në provincën Liaoning, në lindje të Pekinit. Asnjë nga 450 infeksionet e konfirmuara brenda zonës së izolimit nuk është përhapur te të tjerët në flluskë, tha Huang Chun, një zyrtar i kontrollit të pandemisë. Dhe nuk ka pasur raportime për ndonjë gjë serioze mjekësore. Mundësia e një shpërthimi të madh brenda flluskës, që mund t’i mënjanojë sportistët nga garat, ka qenë një frikë më e madhe se çdo rrjedhje e virusit në pjesën tjetër të Kinës.

“Ndjej se të gjitha masat mbrojtëse janë vendosur mirë”, tha Fang Yanmin, një turiste që foli duke bërë fotografi me shoqen e saj përpara një statuje të Bing Dwen Dwen, maskotës së Lojërave. “Nuk ka nevojë për panik”.

Guo Haifeng, duke pritur miqtë në një stacion metroje aty pranë, duartrokiti zonën e mbyllur duke thënë se kjo i pengon sportistët dhe publikun të ndërpresin jetën e njëri-tjetrit. Edhe nëse do t’i ofroheshin bileta, ai tha se nuk do të shkonte në ngjarjet e Lojërave Olimpike Dimërore.

“Për shkak të pandemisë ne duhet të përpiqemi të shmangim daljen në vendngjarje”, tha ai. “Ne duhet të përmbahemi dhe të mos prekim të tjerët”.

Testi përfundimtar do të vijë pas Lojërave, kur mijëra pjesëtarë të stafit olimpik dhe vullnetarë nga Kina të dalin nga flluska. Pritet që atyre t'u kërkohet të karantinohen për një javë ose më shumë përpara se të largohen, në përpjekje për të parandaluar efektet e çdo infeksioni që mund të kenë.

Politika e tolerancës zero e Kinës e ka mbajtur virusin larg. Autoritetet shëndetësore kanë raportuar 4.636 vdekje që nga fillimi i pandemisë. Shumica datojnë nga shpërthimi fillestar në fillim të vitit 2020 që pushtoi sistemin shëndetësor në qytetin e Wuhanit.