Sport

Gus Poyet, përzgjedhës i ri i Greqisë

Descriptive Text

Gustavo Poyet është emëruar si përzgjedhës i ri i Përfaqësueses së Greqisë në futboll.

Lajmi u bë zyrtar të premten gjatë ditës nga sajti zyrtar i Federatës së Futbollit të Greqisë.

Federata e Futbollit të Greqisë ka thënë më herët se ka arritur marrëveshje me ish-mesfushorin e Chelseat, Tottenhamit dhe Uruguait. Kontrata e Poyetit si përzgjedhës përfundon në vitin 2023, por ekziston opsioni i vazhdimit edhe për 12-të muaj tjerë.

54-vjeçari Poyet e zëvendëson në këtë post holandezin John van’t Schip, i cili dha dorëheqje në muajin nëntor, pasi Greqia përfundoi në vendin e tretë në Grupin B kualifikues të Botërorit, prapa Spanjës dhe Suedisë. Greqia ishte në grup edhe me Kosovën. Kosova e mbylli kampanjën në vendin e fundit me pesë pikë, dy më pak se Gjeorgjia e vendit të katërt.

Poyet ka punuar në disa shtete, përfshirë Kinën, Spanjën dhe Francën, ndërsa karrierë si trajner ka bërë edhe te Brightoni, Sunderlandi dhe AEK-u i Athinës.

Kosova do të jetë nikoqire e Greqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 5 qershor, në ndeshjen e dytë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.