Sport

Minchev përgëzon lojtarët, thotë se fokusi tani është te finalja

Trajneri i Trepçës, Lubomir Minchev është shprehur shumë i lumtur që ekipi i tij ka kaluar në finale të turneut “Final Eight” të Kupës së Kosovës në basketboll.

Minchev ka përgëzuar basketbollistët e tij për këtë fitore. Ai tha se ata treguan një karakter të vërtetë dhe u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë dhe ia dolën ta eliminojnë Pejën në gjysmëfinale.

Trepça triumfoi me shifrat 83:76 përkundër që ishte në disavantazh prej 20 pikëve në fillim të çerekut të dytë.

“Çelësi i fitores tonë është angazhimi i lojtarëve dhe karakteri që e treguan sidomos në pjesën e dytë. Pas pjesës së parë, ne reflektuam si ekip dhe luajtëm shumë mirë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Mendoj se angazhimi i lojtarëve ishte vendimtar për të shkuar në finale dhe jam shumë i lumtur”, ka thënë Minchev.

“E kemi një ditë që të përgatitemi për finalen dhe duhet t’i përmirësojmë disa gjëra, pavarësisht kundërshtarit që do ta kemi përballë”.