Sport

Sokoli kritikon përfshirjen e futbollistëve të huaj në ligat kosovare

Trajneri Bylbyl Sokoli, deklaroi se përfshirja e madhe e futbollistëve të huaj në ligat e futbollit kosovar, nuk është në rregull dhe sipas tij, një gjë e tillë duhet të rregullohet nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Sokoli deklaroi në Interaktiv të KTV-së se në Ligën e Parë dhe të Dytë të futbollit ka më tepër futbollist të huaj të angazhuar, gjë që sipas trajnerit, ua vështirëson përfshirjen e futbollistëve të rinjë vendor.

Jam i sigurt se do të vjen koha që futbollistëve nga grupmoshat e reja do t’u jepet hapësira më e madhe. Këta futbollistë që vinë nga jashtë, përfitimi material dhe mundësia e transferimit jashtë vendit është pak e mundshme, prandaj, kemi pak angazhim të futbollistëve të rinj. Në Arsenal luajnë mbi 6-7 futbollistë që janë nën moshën 22-vjeçare. Derisa në Premier League luajnë të rinj, pse jo në Superligën tonë. Në Kosovë kur po flas për angazhim të të rinjve, po flas për një angazhim që do të duhej të merrej Federata e Futbollit. Në kategorinë e parë s’ka nevojë të ketë kaq futbollistë nga jashtë, lojtarë në ligën e parë shohim që janë të ardhur dhe lojtarë të rinj që kaliten këtu, kurse futbollistët tanë nuk iu japin mundësi të kaliten këtu”, deklaroi ai.

Sipas profesorit, klubet janë të përgatitura mjaftueshëm për sezonin pranveror dhe ato kanë krijuar bazën materiale.

“Në vendin ku i kanë zhvilluar përgatitjet, janë shumë përvoja e trajnerë me renome. Po më brengos mënyra sesi përforcohen ekipet tona. Atë çka e kemi pa në ndeshjen për Kupë, skuadrat janë mirë të përgatitura fizikisht për fillim të kampionatit”, shtoi ai.

“Ka shumë ekipe që nuk kanë strategji afatgjate, afatmesme. Kjo çka po ndodhë me Feronikelin është rast tjetër, kemi probleme organizative, të inateve që kanë lindur brenda klubit, e sot klubi është thuajse pa pronar, edhe pse pronari dihet. Në një gjendje të mjerueshme, ekipi që ka fituar çdo gjë me Kosovën, tani është në vendin e fundit e mesiguri do të largohet nga ky raund”.

Duke folur për organizimin e futbollit në Kosovë, Sokoli tha se fjalën kryesore e kanë disa menaxherë, që me udhëheqësin e klubeve, sipas tij, bëjnë strategji dhe sjellin futbollistë që janë emra, por edhe paga e tyre është e lartë.

“Kjo është punë e politikës së brendshme të klubeve, por në fund të kampionateve mund të vlerësohet sa një futbollist e ka arsyetuar pagën që merr”, shtoi tutje.