Sport

Salah e Mane përballë njëri-tjetrit në finalen e Kupës së Afrikës

Shokët e skuadrës së Liverpoolit, Mohamed Salah dhe Sadio Mane, po përgatiten të përballen me njëri-tjetrin në finalen e Kupës së Afrikës në Kamerun të dielën. Egjipti i Salahut mundi nikoqirin pas penalltive, të enjten, për të siguruar një përplasje me Senegalin në finale.

Kapiteni i Egjiptit, Salah, nuk kishte nevojë të gjuante fare nga penalltia në gjysmëfinale, pasi Kameruni dështoi tri herë nga pika e bardhë duke u mundësuar “faraonëve” të fitonin me rezultatin 3:1 në Yaound. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola. Kjo ndodhi një ditë pasi Mane shënoi një gol dhe asistoi në një tjetër teksa Senegali mposhti Burkina Fason me shifrat 3:1 në gjysmëfinalen tjetër.

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, mund të ishte falur për dëshirën që të dy lojtarët e tij të eliminoheshin më herët nga ky turne në mënyrën që të ktheheshin në “Anfield Road”. Por gjermani të premten shprehu kënaqësinë për dyshen sulmuese që arriti deri në finale.

“Është një arritje e madhe për të dy kalimi në finale”, tha Klopp në prag të ndeshjes që Liverpooli e luan ndaj Cardiffit në kuadër të Kupës FA të dielën.

Kjo ndeshje e Liverpoolit do të luhet vetëm pak orë para finales mes Egjiptit e Senegalit, që do të zhvillohet në stadiumin Olembe.

“Deri më tani ka qenë një turne vërtet i suksesshëm për djemtë tanë. Do të jetë finale emocionuese.

Tani pa dyshim që nuk është aq e lehtë, sepse njëri do të jetë më të vërtetë i lumtur dhe tjetri i zhgënjyer, por të dy kanë një shans të mirë për të arritur diçka vërtet të madhe”, shtoi Klopp.

Do të jetë paraqitja e dytë në finalen e Kupës së Afrikës për sulmuesin Salah, që ishte anëtar i ekipit të Egjiptit që u mund nga Kameruni në shfaqjen e vitit 2017 në Libreville. 29-vjeçari e ka pranuar tashmë vendosmërinë e tij për të ngritur trofeun e këtij turneu për vendin e tij, pasi bëri debutimin ndërkombëtar me Egjiptin në vitin 2011, një vit pasi Egjipti siguroi titullin e fundit kontinental. Egjipti e ka fituar shtatë herë Kupën e Afrikës, rekord ky për një ekip të këtij kontinenti.

“Ky trofe për mua do të ishte krejtësisht ndryshe. Do të ishte më i afërti për zemrën time”, pranoi Salah, i cili me Liverpoolin e ka fituar Ligën e Kampionëve dhe titullin e kampionit në Premier League. “Do të jetë një përballje shumë e vështirë, por besoj se jemi gati për Senegalin që ka ekip shumë të fortë”.

Mane ka përjetuar zhgënjim të ngjashëm në këtë turne, kur Senegali e humbi finalen përballë Algjerisë në vitin 2019 në Egjipt. Senegali është ekipi më i ranguar i Afrikës në ranglistën e FIFA-s, por nuk ka qenë kurrë kampion kontinental, një kontrast shumë i madh me Egjiptit që po synon trofeun e tetë.

“Përvoja është shumë e rëndësishme në këtë turne. Ne kemi vuajtur shumë në Kamerun pasi kemi pasur raste me koronavirus dhe lëndime. Kishim periudhë të vështirë, por me përvojën tonë kemi qëndruar të qetë derisa jemi kompletuar. Ne luajtëm herën e fundit në finale, kështu që kemi përvojën e duhur dhe do të mundohemi ta fitojmë këtë trofe, që është shumë i rëndësishëm për Senegalin”, është shprehur Mane.

Të dy lojtarët e Liverpoolit kanë lënë gjurmë tashmë në turneun që po mbahet në Kamerun, me Manen që ka shënuar tri herë për Senegalin. Salah ka shënuar dy gola dhe po ashtu ka realizuar penalltinë vendimtare në fitoren e Egjiptit ndaj Bregut të Fildishtë në 1/8 e finales. Salah ishte i mbuluar në pjesën më të madhe të ndeshjes gjysmëfinale nga mbrojtja e Kamerunit, por tek Egjipti po shpresojnë se ai do t'i udhëheqë drejt fitores të dielën.

“Salah nuk është vetëm lojtari më i mirë në Egjipt, por një lojtar i klasës botërore dhe prania e tij është një nxitje për anëtarët e tjerë të ekipit", tha ndihmëstrajneri i Egjiptit, Diaa al-Sayed. “Ai është një udhërrëfyes dhe një lider. Prania e tij është shumë vendimtare për ne. Ai erdhi këtu për të fituar dhe ne shpresojmë se do ta bëjë”.

Kjo do të jetë hera e parë që Salah e Mane do të përballen me njëri-tjetrin në nivel ndërkombëtar qëkur u bënë bashkëlojtarë te Liverpooli. Por nuk do të jetë hera e fundit këtë vit. Ndeshja e së dielës është e para nga një seri përplasjesh të mëdha që do të vijnë midis Senegalit dhe Egjiptit, pasi dy përfaqësueset janë kundërshtare edhe në dy ndeshjet e plejofit të kampionatit botëror “Katari 2022”, që do të zhvillohen në muajin mars. Vetëm njëri do të shkojë në Katar më vonë këtë vit dhe vetëm njëri do të kurorëzohet si kampion i Afrikës të dielën.