Sport

Me ndeshjet e Kupës “nis pranvera” në futbollin e Kosovës

Kampioni i stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll, Gjilani, synon ta nisë pranverën ashtu siç e mbylli vjeshtën – me fitore. Në duelin e fundit të vjeshtës Gjilani e mposhti në udhëtim Ballkanin (1:0) për ta konfirmuar pozitën e parë në tabelë. Ndërsa tani synon fitoren ndaj Dukagjinit, jo për pikë, por për të avancuar në Kupën e Kosovës.

Me ndeshjet e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës edhe zyrtarisht nis pjesa pranverore e garës në futbollin kosovar. Skuadrat për gati dy muaj ishin në pushim.

Dueli mes Gjilanit dhe Dukagjinit zhvillohet të shtunën prej orës 13:00, në stadiumin me bar sintetik në qytetin e Gjilanit. Në të njëjtën kohë do të luhen edhe tri ndeshje tjera të këtij raundi të Kupës së Kosovës, që mbyllet të hënën. Si Gjilani ashtu edhe Dukagjini ditë më parë janë kthyer nga faza përgatitore që e kishin në Antalia të Turqisë, vend në të cilin kanë zhvilluar edhe disa miqësore me skuadra të shteteve tjera. Të dy ekipet insistojnë se janë gati për pranverën e futbollit kosovar dhe pranojnë se duan të avancojnë në çerekfinale të Kupës.

Ndeshjet e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës janë paralajmërim për pjesën e dytë të edicionit në elitën e futbollit kosovar, që nis vikendin e ardhshëm. Në Superligë Gjilani ka 35 pikë dhe është lider ndërsa Dukagjini është i teti në tabelë me 18 pikë të mbledhura në po aq ndeshje të zhvilluara. Dukagjini është ekipi i vetëm që Gjilani nuk e ka mposhtur këtë edicion në Superligë. Në dy ndeshjet e luajtura të vjeshtës rezultati ishte i barabartë, 0:0 në Gjilan dhe 1:1 në Klinë.

“Jemi të motivuar maksimalisht para fillimit të stinorit pranveror. Jemi të qartë sa u përket objektivave që ka vendosur klubi dhe do të japim gjithçka nga vetja për t’i arritur ato pasi një klub si Gjilani meriton të marrë atë që i takon. Përballja ndaj Dukagjinit do jetë një test mjaft i mirë për ne para fillimit të stinorit pranveror, pasi që është e vetmja skuadër që nuk kemi arritur ta mposhtim këtë edicion. Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë përballje, vijmë nga një fazë përgatitore do të them e kompletuar. Shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë dhe do të vazhdojmë tutje në garat e Kupës pasi që, siç dihet, edhe Kupa është një mision për ne. Por gjithmonë duke respektuar Dukagjinin si një skuadër mjaft cilësore dhe e vështirë për t’u kaluar”, tha mbrojtësi i Gjilanit, Armend Halili, të premten për KOHËN.

Te Dukagjini po shpresojnë që përvoja në Kupën e Kosovës do t’iu ndihmojë për ta tejkaluar Gjilanin në këtë raund. Edicionin e shkuar Dukagjini arriti deri në finale ku u mposht nga Llapi.

“Për ne çdo ndeshje do të ketë rëndësi të madhe. Do të përballemi me Gjilanin në kupë dhe do të jetë vështirë. Ne kemi kryer fazën përgatitore në Antalia dhe jemi gati për këtë takim. Kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore. Sigurisht si për ne ashtu edhe për Gjilanin do të jetë dueli i parë këtë vit dhe ndeshjet e para nuk tregojnë forcën e vërtetë të asnjërës skuadër. Është e qartë që ne udhëtojmë për fitore dhe për kalim në raundin tjetër. Atmosfera është fantastike në ekip. Ne kemi qenë edhe në finale vitin e kaluar dhe e njohim shumë mirë këtë kompeticion. Përmes Kupës ne mund ta kapim Evropën”, ka theksuar mesfushori i Dukagjinit, Met Millaku.

Të shtunën do të luhen edhe ndeshjet 2 Korriku – Ramiz Sadiku, Onixi – KEK-u dhe Ulpiana – Arbëria. Në stadiumin e Lipjanit do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës. Kampionia në fuqi e Superligës, Prishtina, luan si vendase në Lipjan përballë skuadrës së Drenicës, që ka arritur të konsolidohet gjatë këtij pushimi, pavarësisht telasheve financiare që i pati në vjeshtë. Ndeshja Prishtina – Drenica është të dielën. Po të dielën Ballkani e pret Malishevën në Suharekë derisa në stadiumin e Ramiz Sadikut në Prishtinë do të përballen Fushë Kosova me Dritën.

Ndeshja e fundit e 1/8 së finales do të zhvillohet ditën e hënë prej orës 13:00. Llapi, që është fitues në fuqi i Kupës së Kosovës, do të jetë mysafir i ekipit të Ferizajt.

Kupa e Kosovës – 1/8 e finales

E shtunë

Gjilani – Dukagjini (13:00)

Ulpiana – Arbëria (13:00)

2 Korriku – R. Sadiku (13:00)

Onixi – KEK-u (13:00)

E diel

Ballkani – Malisheva (13:00)

F. Kosova – Drita (13:00)

Prishtina – Drenica (13:30)

E hënë

Ferizaj – Llapi (13:00)