Sport

Amin Hot, përforcimi i ri i Kosovës

Fundori i Trepçës, Amin Hot, ka qenë pjesë e gjeneratave të reja të Malit të Zi në basketboll (kadetë dhe juniorë). Por 29-vjeçari asnjëherë nuk ka arritur të luajë për Përfaqësuesen A të shtetit fqinj. Atë që nuk e ka arritur me Malin e Zi, Hot po e realizon me Kosovën.

Në fund të muajit shkurt Hot do të grumbullohet me përfaqësuesen e Kosovës. Ai tashmë ka marrë ftesë nga përzgjedhësi Christos Marmarinos.

Tekniku grek më 25 shkurt do ta grumbullojë përfaqësuesen për ndeshjen me Norvegjinë, që zhvillohet më 27 shkurt në Mitrovicë. Ndeshja Kosovë – Norvegji takon parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Hot është ftuar të jetë pjesë e Kosovës pasi në fillim të këtij viti është pajisur me pasaportë të shtetit. Ai tashmë te Trepça nuk e ka statusin e lojtarit të huaj, por llogaritet vendor. Fillimisht ishte transferuar si i huaj.

Ftesën nga Kosova Hot e ka pranuar me kënaqësinë më të madhe. Ka thënë se është nder që ta bartë fanellën e “Dardanëve”. Ai do të jetë gati për ta ndihmuar Kosovën për ndeshjen me Norvegjinë, që do të jetë e treta në kuadër të parakualifikimeve për Evropianin e vitit 2025.

“E kam marrë ftesën dhe kam pranuar që të paraqitem në grumbullimin e përfaqësueses. Për mua është një nder dhe detyrim i madh ta bart fanellën e shtetit. Shpresoj që mos të lëndohem deri atëherë në mënyrë që të jem i gatshëm ta ndihmoj përfaqësuesen”, ka thënë Hot të martën për KOHËN.

Ai ka thënë se në momentin që e ka parë mundësinë për t’u pajisur me shtetësi kosovare nuk ka hezituar fare, pasi te Trepça po ndihet si në shtëpi. Madje ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës, si dhe kryesinë e klubit në krye me presidentin Vullnet Sefaja, që e kanë pranuar në mënyrën më të mirë të mundshme si lojtar vendor. Hot është nga Rozhaja, qytet në kufi me Kosovën.

“Mund të them se po ndihem shumë mirë si lojtar vendor. Në Mitrovicë jam si në shtëpinë time dhe të gjithë në qytet më kanë pranuar siç është më së miri, për çka edhe jam falënderues i madh”, është shprehur Hot. “Kur u paraqit mundësia që të pajisem me pasaportën e Kosovës mund të them se nuk kam menduar fare dhe menjëherë e kam pranuar ofertën”.

Kosova është pjesë e Grupit C parakualifikues dhe prin në tabelë me tri pikë të mbledhura pas dy ndeshjeve të zhvilluara. Ka një pikë më shumë se Norvegjia e Danimarka. Është mposhtur në udhëtim nga Norvegjia (86:77), përpara se të triumfojë ndaj Danimarkës (78:73) në Prishtinë.

Hot iu bashkua ekipit mitrovicas para fillimit të këtij edicioni dhe te Trepça po synon titullin e kampionit. Ai po luan me mesatare prej 11 pikëve, gjashtë kërcimeve e po aq asistimeve për ndeshje.

Hot ka thënë se deri më tani është i kënaqur me paraqitjet e tij dhe të ekipit, por ka shtuar se mund të përmirësohet edhe më shumë dhe se do ta bëjë të pamundurën për ta ndihmuar Trepçën në arritjen e objektivave këtë edicion.

“Gjithmonë mundemi më mirë, si në aspektin individual ashtu edhe ekipor. Në secilën ndeshje futem i koncentruar maksimalisht dhe mundohem të jap më të mirën, por ka hapësirë për t’u përmirësuar. Synimi është që në çdo ndeshje që vjen me radhë të përmirësojmë gabimet që i kemi pasur në të shkuarën dhe të përparojmë si ekip në çdo aspekt. Shkojmë hap pas hapi, deri në fund të edicionit ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Kështu që lojtarët e Trepçës do të japin gjithçka nga vetja dhe do të luftojnë për çdo top për t’i gëzuar tifozët tanë dhe për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar Hot. “Ekipet kanë ndërruar shumë prej fillimit të edicionit, janë forcuar shumë dhe liga është e barabartë ku secili mund ta mposhtë secilin. Kështu që gjithmonë ekziston mundësia që të befasohemi ndaj ndonjë skuadre, me përjashtim të asaj në pozitën e fundit. Nuk do të veçoja ndonjë favorit për trofe, por mund të them se deri në fund do të jetë shumë garë e fortë dhe interesante”.

Pos Trepçës që e ka pajisur fundorin Hot me pasaportë të Kosovës, edhe disa ekipe të tjera kanë vepruar njëjtë me lojtarët e tyre. KB Peja e ka pajisur me pasaportë Daniel Lekndrejajn, që është reprezentues i Shqipërisë, por i cili për KOHËN më herët pati thënë se nuk e përjashton mundësinë për të luajtur me Kosovën. Vendorë llogariten edhe Jetmir Zeqiri e Jan Palokaj, që janë pjesë e Sigal Prishtinës, ndërsa Lejson Zeqiri posedonte edhe më herët pasaportën e Kosovës. Mbetet të shihet nëse krahas Hotit do të ftohen edhe lojtarët e lartpërmendur për grumbullimin dhe ndeshjen e këtij muaji kundër Norvegjisë.

“Ekipet kanë aplikuar për lojtarët që të pajisen me pasaportë të Kosovës, por këtë nuk mund ta bëjnë pa letrën mbështetëse të federatës. Ne ua kemi dhënë letrën mbështetëse, por kjo nuk do të thotë se do t’ua lëshojmë të gjitha klubeve. Këtë e bëjmë vetëm për lojtarët që na interesojnë për të ardhmen që të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës”, pati thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.

Pasaportën e Kosovës e ka edhe Mikaile Tmushiq, që është pjesë e përfaqësueses dhe thuhet se ka prejardhjen nga Peja. Tmushiq aktualisht është pjesë e Golden Eagle Yllit, kurse karrierë në Kosovë ka bërë edhe te Bashkimi e Sigal Prishtina. Ai është nga Mali i Zi.