Sport

Maqedonia e Veriut për herë të parë me garues shqiptar në Lojërat Olimpike Dimërore

Descriptive Text

Maqedonia e Veriut ka debutuar në Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 1998. Ka garuar edhe në Olimpiadat e pastajme dimërore, por asnjëherë nuk ka pasur ndonjë garues shqiptar në ekip.

Ky fakt ka ndryshuar për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” që nisin të premten në kryeqendrën kineze.

Është Dardan Dehari që do të garojë në Lojërat Olimpike “Pekini 2022”. Dehari do të garojë në skijim alpin, ndërsa do të paraqitet në dy disiplina të ndryshme.

Në Lojërat e Pekinit garojnë edhe Kosova e Shqipëria. Kosova përfaqësohet me Albin Tahirin e Kiana Kryeziun, ndërsa Shqipëria vetëm me Denni Xhepan.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut i ka tre garues në Pekin. Ana Cvetanovska dhe Stavre Jada garojnë në skijimi “cross-country”, ndërsa Dehari në skijim alpin.

Garën e parë Dehari e ka më 13 shkurt, ndërsa të dytën më 16 shkurt. Garon në sllallom dhe sllallom të madh. Komiteti Olimpik i Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se flamurin e këtij shteti në ceremoninë hapëse do ta mbajnë Ana Cvetanovska dhe Dardan Dehari.

Dehari është nga Tetova. Është i angazhuar edhe në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Tetovës, në cilësinë e asistentit. Atij ditë më parë i është organizuar edhe një pritje nga drejtuesit e Universitetit të Tetovës.

Dehari ka thënë se ka realizuar një qëllim jetësor me pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore. Ka thënë se synon suksesin në Pekin. Në fakt afrimi te zona e medaljeve duket pak i mundshëm për skitarin shqiptar, ashtu si për përfaqësuesit e Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Kemi filluar në verë me stërvitje dhe ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar. Ka shkuar sipas planit si faza përgatitore ashtu edhe ajo e garave. Në gara kam kaluar shumë mirë, gjithmonë kam qenë në Top-10. Kështu që jam i kënaqur me kualifikim”, ka thënë Dehari.

“Pas një karriere shumë të gjatë, mbi 20-vjeçare, pas një përkushtimi pa rezervë, punës së palodhshme, uljeve dhe ngritjeve të shumta, është realizuar edhe kjo ëndërr”, ka shtuar Dehari.

Sipas Deharit, vetë pjesëmarrja në Lojërat Dimërore është sukses i madh për secilin skitar.

“Duhet të ceket që do të jem shqiptari i parë nga Republika e Maqedonisë së Veriut që do ta përfaqësoj shtetin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore”, ka thënë me mburrje Dehari.

Në Pekin garojnë mbi 2800 sportistë nga 91 vende. Do të garohet në 109 ngjarje të ndryshme, në shtatë sporte e në 15 disiplina.

Kosova merr pjesë për herë të dytë, ndërsa Shqipëria për herë të gjashtë.