Sport

Kthimi i jashtëzakonshëm i yllit danez

Christian Eriksen e ka kompletuar rikthimin e tij të jashtëzakonshëm në Premier League duke firmosur me skuadrën e Brentfordit, vetëm shtatë muaj pas atakut kardiak që e pati në Kampionatin Evropian.

Mesfushori i Danimarkës u largua nga Interi në muajin dhjetor me marrëveshje të dyanshme për shkak se në futbollin italian nuk lejohen të luajnë futbollistët që kanë defibrilator të vënë. Ky rregull nuk vlen në Premier League dhe kjo i ka mundësuar Brentfordit ta transferojë Eriksenin si lojtar të lirë.

Eriksen me ekipin anglez ka firmosur kontratë të vlefshme deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Mesfushori 29-vjeçar e ka mbajtur formën fizike duke stërvitur te Sioni në Zvicër përpara se t’i bashkohej të rinjve të Ajaxit.

Nëpërmjet një video-incizimi, Eriksen ka konfirmuar se do të jetë futbollist i Brentfordit për pjesën e mbetur të këtij edicioni.

“Përshëndetje të gjithëve, jam Christian Erikseni. Jam i lumtur të njoftoj se kam nënshkruar me Brentfordin dhe mezi pres të fillojë”, tha Eriksen në videon e tij që u publikua nga Brentfordi në “Twitter”.

Është ky një rikthim i madh për Eriksenin, i cili javë më parë në një intervistë pranoi se ishte i vdekur për pesë minuta, pasi u rrëzua në ndeshjen hapëse të Danimarkës ndaj Finlandës në kuadër të “Euro 2020”. Në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit Eriksen u kthye në Angli ku më parë ka luajtur për Tottenhamin. Te Tottenhami ishte deri para dy vjetësh, kur iu bashkua Interit, ekip me të cilin e fitoi titullin e kampionit në Serie A.

Te Brentfordi, ekipi nga Londra e Veriut, Eriksen, do të ndihet sikur në shtëpi. Te kjo skuadër ai do të bashkohet me trajnerin Thomas Frank, i cili e pati stërvitur te Përfaqësuesja U17 të Danimarkës. Eriksen do të jetë danezi i nëntë te Brentfordi.

Trajneri Frank e ka mirëpritur bashkëkombësin e tij duke thënë se ishte një “mundësi e pabesueshme” për ta sjellë në ekip një lojtar të klasit botëror sikurse Erikseni.

“Kemi shfrytëzuar një rast të pabesueshëm për të transferuar një lojtar të klasit botëror te Brentfordi. Ai nuk ka stërvitur me ekip për shtatë muaj, por ka punuar shumë i vetëm. Ai është në gjendje të mirë fizike dhe besoj se shumë shpejt do të jetë edhe gati për ndeshje. Jam i gatshëm ta ndihmoj për ta kthyer në nivelin më të lartë së bashku me pjesën tjetër të Brentfordit”, është shprehur Thomas, i cili shpreson që Erikseni ta ndihmojë Brentfordin në edicionin e parë në Premier League. “Në formën e tij më të mirë, Eriksen ka aftësinë për ta diktuar ndeshjen. Ai mund të bëjë pasimet e duhura dhe është kërcënim i madh për portën kundërshtare. Është një lojtar që e mbanë topin dhe ka zgjidhje për secilin problem në fushë. Ai do të na ndihmojë shumë me përvojën që ka”.

Te Brentfordi kanë insistuar se do të “respektojnë konfidencialitetin mjekësor të Eriksenit” duke mos zbuluar informacione të mëtejshme. Është bërë e ditur se ylli danez së fundmi ka marrë vaksinat ndaj koronavirusit, që e lejojnë të respektojë rregullat e hyrjes në Britani.

Eriksen do të fluturojë për në Londër këtë javë, por nuk do të stërvitet menjëherë me Brentfordin.

“Tifozët e Brentfordit mund të jenë të sigurt se ne kemi pasur kujdes të konsiderueshëm dhe të duhur për të siguruar që Christiani të jetë në formën më të mirë të mundshme për t'u rikthyer në futboll”, ka thënë Phil Giles, drejtori i ekipit anglez.

Erikseni në intervistën e tij pati zbuluar se synimi është që të jetë pjesë e Danimarkës në Botërorin “Katari 2022” që mbahet në fund të këtij viti. Dhe ai tashmë e ka bërë hapin e parë drejt realizimit të këtij synimi.