Sport

Fillimi i vërtetë i Distrisë në kategorinë e re

Kampione olimpike dhe e para në ranglistën botërore. Por Distria Krasniqi nuk është bartësja e parë në turneun “Grand Prix” të xhudos që për herë të parë mbahet në Portugali.

Është ky “çmimi” që Distria paguan për ndryshimin e kategorisë. Ajo fitoi të artën olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë dhe është e para në ranglistën botërore në këtë kategori. Por në Almada të Portugalisë garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, kategorinë e saj të re. Në të vërtetë Distria ka garuar edhe më herët në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa e kishte një provë solide edhe pas Lojërave të Tokios. Më 5 nëntor të vitit të kaluar shënoi dy fitore dhe pësoi dy humbje në Grand Slamin e mbajtur në Baku. U rendit e pesta, që për kampionen olimpike nuk ishte rezultat i mjaftueshëm. Por gara kishte më shumë karakter testues për Distrinë, që ishte larg prej formës së mirë pas pushimit, pas Olimpiadës.

Tashmë situata është më ndryshe. Ndonëse ende jo në formë optimale, Distria pritet të fillojë me medalje në kategorinë deri 52 kg.

Në ranglistën botërore në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria është e 38-a. Kjo pozitë i mundëson që në Portugali të jetë bartësja e katërt. Pra vetëm tri xhudiste më të ranguara se ajo do të garojnë në Portugali.

Bartëse e parë është Fabienne Kocher e Zvicrës, e gjashta në ranglistë. E dyta është Amber Ryheul, belge, që renditet e 15-a, kurse spanjollja Estrella Lopez Sheriff është bartësja e tretë. Ajo është e 21-ta në ranglistën botërore.

“Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, do të mundohet të ‘vjedhë’ shfaqjen, pasi kthehet në kategorinë deri 52 kilogramë”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Xhudos.

“Ka emra të mëdhenj në Portugali, si ai i Distria Krasniqit. Kosovarja është kampione olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë, por ka ardhur për titull në kategorinë deri 52 kilogramë. Është kategoria ku ndihet më së miri”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Mbajtja e peshës 48 kilogramë ka qenë sfidë e vazhdueshme dhe shumë e madhe për Distrinë. Por sakrifica ia ka vlejtur. Ajo arriti suksesin më të madh të mundshëm në sport. Për ciklin e ri olimpike, atë për “Parisi 2024”, Distria ka vendosur të evitojë sfidat e peshës, duke kaluar në kategorinë deri 52 kg. Kjo kategori deri në “Tokio 2020” në një mënyrë ishte e rezervuar për Majlinda Kelmendin, kampionen olimpike nga “Rio 2016”.

Garat e nivelit Grand Prix nuk janë më të fortat në xhudo. Por në to paraqiten edhe xhudistë të nivelit të lartë. Në Portugali do të garojnë 179 xhudistë dhe 122 xhudiste.

Gara në kategorinë deri 52 kilogramë, ku paraqitet Distria, mbahet të premten prej orës 10:00. Distria në xhiron e parë është e lirë, ndërsa në të dytën e pret fituesen e duelit mes Yasim Javadian të Britanisë së Madhe dhe Leonie Gonzalez të Francës. Edhe Erza Muminoviq garon në kategorinë deri 52 kg, ndërsa përballë do ta ketë portugezen Joana Diogo. Flaka Loxha garon po ashtu të premten, ndërsa në xhiron e parë të kategorisë deri 57 kg përballet me italianen Miriam Boi.

Të shtunën në tatami del Laura Fazliu. Ajo garon në kategorinë deri 63 kilogramë, kurse është bartësja e tretë. Në xhiron e parë Laura është e lirë, ndërsa në të dytën e pret fituesen e duelit mes Paz Liebel të Izraelit dhe Melodie Turpin të Francës.