Sport

15-vjeçari Endrick bëhet sensacioni më i fundit i futbollit në Brazil

Duke luajtur në finalen e një turneu për futbollistët nën 21 vjeç për skuadrën braziliane Palmeiras, 15-vjeçari Endrick e mori topin pas vijës së mesfushës dhe filloi të vraponte drejt portës. Ai kaloi me shpejtësi dhe me lehtësi dy mbrojtës. Mbrojtësi i tretë e rrëzoi Endrickun disa metra tutje, por talenti u ngrit shpejt pas një rrotullimi në tokë dhe vazhdoi para me topin. Një mbrojtës i katërt duhej të ndërhynte për të ndihmuar, duke e ndaluar Endrickun më në fund me një faull të rëndë. Endrick u shtri në tokë për disa çaste, ndërsa turma vazhdonte të brohoriste nga tribuna.

Adoleshenti Endrick Felipe Moreira de Sousa është sensacioni më i fundit i futbollit brazilianit, një yll tjetër premtues që ka tërhequr vëmendjen e skuadrave të mëdha të Evropës. Sulmuesi i talentuar kishte shënuar tashmë një gol në fitoren 4:0 të së martës ndaj Santosit në finalen e “Copa Sao Paulo”, gara më tradicionale për të rinjtë në Brazil, dhe fitoi çmimin për lojtarin më të mirë të turneut dhe gjithashtu për golin më të mirë. Ishte një goditje e bukur me gërshërë nga distanca, që e realizoi në çerekfinale.

Këtë javë Endrick ishte rrëfimi kryesor në faqen e parë të së përditshmes sportive spanjolle “Marca”, duke marrë më shumë rëndësi se tenisti Rafael Nadal pas një prej fitoreje në “Australian Open”. Gazeta e madhe njoftoi se Real Madridi ishte kandidati kryesor në përpjekjen për të nënshkruar me talentin, megjithëse kishte detaje për Barcelonën dhe klubet e tjera kryesore që dëshironin të bashkoheshin në këtë garë.

Endrick - i cili bën përshtypje me vrapimet e tij të shpejta, përfundimet e zgjuara të aksioneve dhe aftësinë e shkëlqyer për t’i kapërcyer kundërshtarët - nuk ka ende kontratë profesionale. Ai do të jetë në gjendje të nënshkruajë në Brazil vetëm kur të mbushë 16 vjet në muajin korrik. Një lëvizje në Evropë do të lejohet nga FIFA vetëm kur ai të mbushë 18 vjet. Rruga e tij mund të jetë e ngjashme me atë që kanë ndjekur yjet e tjerë premtues brazilianë, si Vinicius Junior dhe Rodrygo, të cilët siguruan marrëveshje të hershme me Real Madridin si adoleshentë dhe më pas bënë udhëtimin përtej Atlantikut pasi mbushën 18 vjet.

Reali pagoi gati 45 milionë euro për secilin lojtar. Endrick, i cili u transferua në Sao Paulo me familjen e tij vetëm për të provuar fatin e tij me Palmeirasin, ka afër të njëjtit njerëz që e përfaqësojnë Viniciusin. Rritja e tij e shpejtë nxiti thirrjet nga disa tifozë të Palmeirasit për ta përfshirë në skuadrën që do të luajë në Kupën e Botës për klube në shkurt. Por trajneri Abel Ferreira tha se është shumë herët që Endrick të jetë në ekipin e parë. Ai tha se “një udhëtim në Disneyland” do të ishte më i përshtatshëm për Endrickun dhe familjen e tij për momentin.

“Nuk ka nevojë për ta nxituar Endrickun. Ai është vetëm 15 vjeç” tha Ferreira, trajneri portugez që ka udhëhequr Palmeirasin drejt dy titujve rresht të “Copa Libertadores”, qëkur mbërriti në vitin 2020. “Me kalimin e kohës jam i sigurt se ai do të arrijë në ekipin e parë të Palmeirasit”.

Endrick tha se është dakord me trajnerin Ferreira dhe se nuk dëshiron të bëjë shumë hapa përpara, por të shkojë gradualisht duke u zhvilluar.

“Dua të fokusohem në të luajturit te skuadrat e të rinjve tani për tani. Shpresoj se do të ngjitem në ekipin e parë dhe do të kem një karrierë të ndritur para”, theksoi Endrick.