Sport

Mallorca arrin marrëveshje me Lazion për Muriqin

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi do t’i bashkohet ekipit nga La Liga, Mallorcas. Madje, mediumet italiane kanë raportuar se Muriqi të enjten do t’i nënshtrohet kontrollimeve mjekësore te Mallorca përpara se të prezantohet.

Bëhet e ditur se Mallorca ka arritur marrëveshje me Lazion për transferimin e Muriqit, i cili nuk bën pjesë në planet e trajnerit Maurizio Sarri.

Thuhet se Mallorca e ka huazuar Muriqin me detyrim të blerjes së kartonit të tij në vlerë prej 13 milionë eurosh. Po ashtu, Mallorca do t’i paguajë Lazios 300 mijë euro për huazimin e Muriqit deri në fund të këtij edicioni, si dhe ka marrë përspiër pagën e futbollistit 27-vjeçar.

Muriqi iu bashkua Lazios në verën e vitit 2020 nga Fenerbahçe për 20 milionë euro me bonuse, por nuk arriti asnjëherë ta dëshmojë veten me fanellën e ekipit nga Serie A.

Ai ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025 kurse këtë sezon ka një asistim në 15 paraqitje në të gjitha garat.