Sport

Hendboll, Kroacia e eliminuar fiton ndeshjen dramatike me Islandën

Ndonëse pa gjasa për kualifikim në gjysmëfinale, Kroacia ka shënuar fitore ndaj Islandës, të hënën në raundin kryesor të Kampionatit Evropian të hendbollit. Kroacia fitoi 23:22 në Budapest, falë paraqitjes impresive të portierit Ivan Peshiq. Ai nuk pranoi gol në shtatë minutat e fundit, duke qenë vendimtar.

Peshiq ndali dy gjuajtjet e fundit para se Ante Gagja të shënonte golin e fitores, pak sekonda para fundit të takimit. Peshiq gjithsej i kishte 13 pritje. Ndërkohë portieri i Islandës, Viktor Hallgrimsson i kishte 11 pritje dhe po ashtu u shqua me paraqitje. Kroacia mbetet e fundit në Grupin I me dy pikë. Islanda i ka katër pikë në vendin e tretë dhe është ende në garë për gjysmëfinale, ndonëse me më pak gjasa.

Pas dy ditësh Islanda luan me Malin e Zi, ndërsa Kroacia me Holandën. Islandës i duhet fitorja për të shpresuar në gjysmëfinale, por do të varet edhe nga rezultatet e tjera.