Sport

Tare mohon lajmin se Muriqi mund të transferohet te CSKA

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka këmbëngulur se lajmet që Vedat Muriqi është afër t’i bashkohet CSKA së Moskës janë “të pavërteta”.

Lazio po luan kundër Udineses në raundin e 16 më të mirave në Kupën e Italisë, dhe në këtë sfidë, sulmuesi kosovar e ka nisur nga fillimi.

Përpara se të fillonte ndeshja, Tare foli për Sport Mediaset dhe u pyet rreth çështjes së Muriqit.

“Jo, nuk është e vërtetë. Kjo lloj gjëje është e keqe për gazetarët dhe ata që mbështesin Lazion. Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, marrim vendime së bashku me trajnerin dhe ata që përhapin këtë dezinformatë nuk tregohen të drejtë”, ka thënë Tare.