Sport

Milaim Rama: E kemi pritur gjatë ndeshjen mes Kosovës e Zvicrës

Miqësorja mes Zvicrës dhe Kosovës është e mirëseardhur. Kështu të paktën ka deklaruar Milaim Rama, shqiptari i parë që ka luajtur për Përfaqësuesen helvetike.

Aktualisht pjesë e Përfaqësueses A të Zvicrës janë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Andi Zeqiri e Kastriot Imeri. Më herët kanë luajtur edhe Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi, Pajtim Kasami e ndonjë tjetër. Por Rama është futbollisti që ka hapur dyert e Zvicrës për shqiptarët.

Ai i ka shtatë ndeshje për Zvicrën në vitet 2003 e 2004. Madje ishte pjesë e Evropianit të vitit 2004 ku e luajti një ndeshje. Rama, 45-vjeçar, vazhdon të jetojë në Zvicër, ndërsa vazhdon të jetë i lidhur edhe me futbollin.

Zvicra e Kosova takohen më 29 mars në stadiumin e Zuerichut, “Letzigrund”. Është ndeshja e parë mes dy vendeve që për nga futbolli janë shumë të lidhura. Të hënën Federata e Futbollit e Zvicrës dhe Federata e Futbollit e Kosovës njoftuan për aranzhimin e miqësores.

Sipas Milaim Ramës, ndeshja në Zuerich është e mirëseardhur sidomos për shqiptarët.

“Është jashtëzakonisht e mirëpritur te kombi shqiptar kjo miqësore. Unë mendoj që ka mundur të vijë te një ndeshje e tillë edhe më herët. Por siç thonë, më mirë tani se hiç”, ka thënë Rama të martën për KOHËN.

Raportet mes dy federatave tashmë vlerësohen korrekte. Por jo gjithnjë ka qenë kështu. Madje vlerësohet se Federata zvicerane nuk ka qenë pro pranimit të Kosovës në UEFA, nga frika se Kosova mund të marrë lojtarët më të mirë të saj. Xhaka është kapiten, ndërsa Shaqiri zëvendës-kapiten i Zvicrës. Janë lojtarët kryesorë.

Në ekipet e moshave të Zvicrës numri i futbollistëve shqiptarë është shumë i madh. Po ashtu, në klubet e elitës dhe të kategorisë së dytë. Shumë futbollistë të Kosovës janë produkt i sistemit zviceran, përkatësisht punës që bëhet në klubet e këtij vendi.

Aro Muriq, Fidan Aliti, Betim Fazliji, David Domgjoni, Mirlind Kryeziu, Edon Zhegrova, Toni Domgjoni, Florent Hadërgjonaj janë reprezentuesit aktualë të Kosovës që kanë të kaluar apo që aktualisht janë në futbollin zviceran. Deri vonë Kosovën e ka udhëhequr trajneri nga Zvicra, Bernard Challandes.

“Ndonëse miqësore, ndeshja do të jetë shumë emocionale për lojtarët shqiptarë që do të paraqiten në fanellën e Zvicrës. Uroj që kjo ndeshje të jetë vërtet miqësore që e kemi pritur gjatë”, ka shtuar Rama.

Në nivel klubesh ai ka bërë emër te Thuni në Superligën e Zvicrës. Ka luajtur edhe për Augbsburgun në Gjermani dhe për Schaffhausenin. Ishte sulmues.

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” e ka quajtur duel vëllazëror sfidën mes Zvicrës e Kosovës.

“Çfarë starti në vitin e Kampionatit Botëror. ‘Nati’ testohet ndaj Anglisë në ‘Wembley’ dhe më pas pret Kosovën për duelin vëllazëror”, ka shtuar mediumi helvetik. “Përfundimisht ndeshje e veçantë për kapitenin Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqirin”.

Zvicra është në momentin më të mirë të saj. Në dekadën e fundit është paraqitur me plot sukses në ngjarjet e mëdha të futbollit. Tashmë është kualifikuar për Botërorin që në vjeshtë mbahet në Katar. Interesimi i shikuesve për miqësoren në Zuerich pritet të jetë shumë i madh. Por nuk është bërë ende e ditur nëse do të lejohen shikues dhe sa do të jetë numri i tyre.