Sport

Naser Ramaj largohet nga Feronikeli i zhytur në borxhe

Naser Ramaj nuk është paraqitur asnjëherë në opinion për të folur për sukseset që skuadra e Feronikelit i ka arritur nën drejtimin e tij. Ka qëndruar i distancuar. E nga distanca i ka përcjellë edhe zhvillimet e fundit në klub. Për gjithë rrugëtimin e tij te Feronikeli, Ramaj ka folur të hënën, saktësisht nëpërmjet një shkrimi të gjatë në “Facebook”. Ramaj ka konfirmuar largimin nga posti i kryetarit të Feronikelit, klub që është i zhytur në borxhe. Rreth 700 mijë euro është borxhi. Pos ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, klubi nga Drenasi ka borxhe edhe ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës. Gjithë këto borxhe janë mbledhur prej 2019-tës, vit kur Feronikeli fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës. Në Evropë, Nikli arriti të kalojë fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndërsa u eliminua në fazën e dytë të Ligës së Evropës. Ramaj ka konfirmuar se kriza financiare ka shtyrë të largohet nga detyra e kryetarit të klubit.

“Pas të gjitha përpjekjeve që të mbaj standardin e duke tentuar të ngremë tutje nivelin e futbollit, çdo ditë e më shumë kërkesat financiare rriteshin, kurse në epokën tonë tanimë po troket edhe kriza më e ligë e që edhe sot po na sfidon duke i sjellë secilit çekuilibrim financiar e sidomos organizatave e korporatave të mëdha. Unë njoftova miqtë e mi bashkëpunëtorë dhe Komunën e Drenasit që klubit t’i ofrohen edhe investitorë apo donatorë të tjerë, sepse kërkesat dhe synimet ishin po të njëjta ndërsa kriza dhe pandemia thellonte problemet ku me fillimin e saj unë u deklarova se nuk mundem të financoj tutje. Kështu pas shumë investimeve dhe përkundër dëshirës së madhe që të vazhdojmë tutje unë vlerësova arsyen për t’i lënë mundësitë që me Feronikelin të vazhdoj dikush ku duke programuar një klub me më pak shpenzime të rrugëtonte tutje, sepse në gjithë globin të gjitha sportet po sfidoheshin sikur edhe Feronikeli, andaj edhe përkundër askush nuk u ofrua”, ka shkruar ndër të tjera Ramaj të hënën në rrjetin social “Facebook”. “Unë vetëm nga dëshira e madhe që së bashku me secilin që ishte krah nesh ta ngremë sportin e në përgjithësi në Drenas, ku dhashë dhe nuk kurseva asgjë nga vetja në të gjitha aspektet e specifikisht në atë financiar ku investimet milionëshe vjetore ishin baza e investimit në rininë e qytetit dhe promotorit të prezantimit të së ardhmes. Prandaj, zërat se klubin e solla në vështirësi le të mbesin si kërkesë e klubit që t’i ofrohen donatorë që të vazhdojë rrugëtimin”.

Skuadra e Feronikelit nuk ka pasur aspak rezultate të mira në stinorin vjeshtor, gjë që lidhet me fondin e vogël të lojtarëve. Gjendja ka ardhur për shkak të vështirësive që klubi ka pasur që nga fillimi. Iu bllokuan transferimet për shkak të borxheve të mëdha që i ka.

Stinorin vjeshtor Feronikeli e ka përfunduar në pozitën e fundit në tabelë. Ka tubuar 11 pikë prej 18 ndeshjeve të zhvilluara, ku ka regjistruar tri fitore, dy barazime dhe plot 13 humbje.

Feronikeli i ka shtatë pikë më pak se vendi i parafundit, ndërsa në një kategori më poshtë do të bien dy skuadrat e fundit.

Nga Feronikeli lojtarët po largohen një nga një. Tashmë fondi është më se i limituar. Dhe në klub janë të dorëzuar sa i takon mbetjes në elitë.