Sport

Zhdrella kthehet në Superligë, premton kontribut te Dukagjini

Descriptive Text

Ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm në futbollin e Kosovës, si me klube ashtu edhe individual. Ka fituar titullin e kampionit me Hysin e Feronikelin, Kupën me Feronikelin e Llapin, si dhe Superkupën me të tri ekipet.

Është shpallur katër herë lojtari më i mirë në Kosovë. Bëhet fjalë për 33-vjeçarin Mentor Zhdrella.

Gjithë këtë përvojë, Zhdrella do ta vërë në shërbim të Dukagjinit, të cilën skuadër synon ta ndihmojë të mbetet në Superligë. Mesfushori është prezantuar të dielën te klubi nga Klina.

Është hera e parë që Zhdrella do të veshë fanellën e një skuadre që synim e ka mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.

Zhdrella nuk ka luajtur fare në stinorin vjeshtor, sipas tij për shkak të një lëndimi që e kishte. E kishte vazhduar kontratën me Llapin, por që më pas u nda me ekipin nga Podujeva. Më pas ka stërvitur te 2 Korriku i Prishtinës.

Njëri prej mesfushorëve më të mirë të gjeneratës së tij, thotë se ka pasur edhe oferta të tjera, por në fund ka vendosur që të luajë për Dukagjinin.

“Kam arritur marrëveshje me Dukagjinin deri në fund të edicionit. Kam pasur edhe oferta të tjera nga disa klube, por vendosa që të pranoj ofertën e Dukagjinit. Kam pasur telashe me një lëndim që më ka mbajtur jashtë fushës për disa muaj. Tani e kam kaluar atë lëndim dhe po përgatitem që ta ndihmoj ekipin në pranverë. Po punoj maksimalisht që ta arrij nivelin tim dhe ta ndihmoj ekipin”, u shpreh Zhrella.

Ai thekson se do të japë më të mirën që Dukagjini të përfundojë sa më lart në tabelë.

“Synimet me Dukagjinin janë që të tregojmë lojëra të mira dhe të renditemi sa më lart në tabelë. Jemi edhe në garë për Kupën e Kosovës. Unë do të jap maksimumin që klubi t’i arrijë synimet që ka dhe besoj që së bashku me bashkëlojtarët dhe të gjithë stafin mund t’ia dalim”, u shpreh Zhdrella.

Dukagjini fazën e fundit të përgatitjeve për stinorin pranveror do ta kryejë në Antalia të Turqisë. Tashmë skuadra ndodhet në qytetin bregdetar.

Zhdrella mendon se përgatitjet jashtë vendit do të jenë pozitive për t’u përgatitur sa më mirë.

“Jam me ekipin në Antalia të Turqisë ku do ta kryejmë fazën përgatitore. Do të kemi edhe disa ndeshje miqësore, që do të na ndihmojnë që të përgatitemi sa më mirë”, tha mesfushori i Dukagjinit.

Mentor Zhdrella është produkt i akademisë së 2 Korrikut. Famën në futbollin e Kosovës e mori te Hysi, ku arriti të fitojë titullin dhe Superkupën.

Ka luajtur edhe për Dritën, Prishtinën e Feronikelin. Në tre vjetët e fundit veshi fanellën e Llapit, ku suksesi më i madh ishte Kupa e Kosovës dhe dalja në Evropë. Megjithatë, Zhdrella nuk u paraqit në garat evropiane.

Karriera e tij ka mundur të jetë edhe më e suksesshme, por ai ka refuzuar disa oferta nga klubet evropiane.

Me Dukagjinin, Zhdrella do të nisë stinorin pranveror në pozitën e tetë. Ekipi nga Klina ka mbledhur 18 pikë, aq sa ka edhe Ulpiana një vend më poshtë. Pozita e tetë në fund të kampionatit dërgon në barazh, kurse e nënta dhe e dhjeta direkt në Ligën e Parë.