Sport

Feronikeli ka borxh prej rreth 700 mijë eurosh

Rreth 700 mijë euro është shuma e obligimeve të pashlyera nga kryesia në largim e ish-kampionit të Kosovës në futboll, Feronikelit.

Pos ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, klubi nga Drenasi borxh ka edhe ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës, ka mësuar KOHA nga burime brenda klubit.

Gjithë këto borxhe janë mbledhur prej 2019-tës, vit kur Feronikeli fitoi titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën e Kosovës. Në Evropë, Nikli arriti të kalojë fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndërsa u eliminua në fazën e dytë të Ligës së Evropës.

KOHA të dielën nuk ka marrë përgjigje rreth situatës së krijuar në klub nga drejtori Artan Berisha. Berisha ka thënë se nuk mund të flasë për shkak të ndryshimeve që pritet të bëhen në kryesi të klubit. Por ai më herët për KOHËN pati pranuar se kanë obligime të pashlyera.

“Jemi duke tentuar të bëjmë një zgjidhje për këtë situatë dhe ka kohë që jemi në bisedime me disa sponsorë. Por deri më tani asgjë nuk ka konkrete. Lojtarët janë duke pritur vendimin final të klubit, të cilin të gjithë do ta mësojmë pas disa ditësh”, pati thënë Berisha.

Një zyrtar i klubit nga Drenasi ka thënë të dielën për KOHËN se borxhi i përgjithshëm që ka klubi sillet rreth 700 mijë euro.

Së fundi, në krye të Feronikelit ka qenë biznesmeni Naser Ramaj. Situata nuk është e mirë thonë anëtarë të klubit në kushte anonimiteti.

“Nuk është situatë e mirë. Kemi rënie pasi jemi bërë kampion. Por borxhi është prej vitit 2019. Kemi borxhe ndaj lojtarëve, zyrtarëve të klubit që kanë qenë dhe janë dhe po ashtu edhe në Administratë Tatimore të Kosovës (ATK). I kemi liruar gjithë lojtarët pasi nuk kemi mundur t’i paguajmë dhe tani do të luajmë me juniorë. Klubi nuk do të shuhet, por do të vazhdojë në Ligën e Parë. Jemi të dorëzuar sivjet dhe gjasat i kemi të mëdha të garojmë sezonin tjetër në Ligën e Parë. Do të mundohemi të shlyejmë borxhet vit pas viti, të pushojmë 2-3 edicione dhe më pas të kthehemi. Klubi do të bëhet shumë shpejt me kryesi të re, janë afruar disa biznesmenë, por ende asgjë nuk ka zyrtare”, ka thënë një zyrtar i klubit në kushte anonimiteti.

Skuadra ka nisur përgatitjet me lojtarët që kanë mbetur nga stinori vjeshtor, ndërsa shumica janë të rinj. Feronikeli stinorin pranveror do ta zhvilloj me juniorë.

Skuadra e Feronikelit nuk ka pasur aspak rezultate të mira në stinorin vjeshtor, gjë që lidhet me fondin e vogël të lojtarëve. Gjendja ka ardhur për shkak të vështirësive që klubi ka pasur që nga fillimi. Iu bllokuan transferimet për shkak të borxheve të mëdha që i ka.

Stinorin vjeshtor Feronikeli e ka përfunduar në pozitën e fundit në tabelë. Ka tubuar 11 pikë prej 18 ndeshjeve të zhvilluara, ku ka regjistruar tri fitore, dy barazime dhe plot 13 humbje.

Feronikeli i ka shtatë pikë më pak se vendi i parafundit, ndërsa në një kategori më poshtë do të bien dy skuadrat e fundit.

Nga Feronikeli lojtarët po largohen një nga një. Tashmë fondi është më se i limituar. Dhe në klub janë të dorëzuar sa i takon mbetjes në elitë.