Sport

Armando Broja, transferimi i përkryer i Southamptonit

Descriptive Text

Armando Broja është zhvilluar në akademinë e famshme të Chelseat, “Cobham”, por sulmuesi po bën emër te skuadra e Southamptonit, aty ku po e kalon këtë sezon si i huazuar. Goli i Brojës në fitoren e thellë të Southamptonit 4:1 ndaj Brentfordit, në kuadër të Premier Leagues, pati vlerë të madhe për 20-vjeçarin. Broja u bë futbollisti më i ri në historinë e Premier Leagues që shënon në katër ndeshjet e Southamptonit si vendas kur ka qenë titullar dhe tani skuadra e tij po synon që ta blejë përfundimisht reprezentuesin e Shqipërisë.

“Atij i pëlqen ky vend dhe do të ishte gjë e madhe nëse ai do të ishte lojtar i yni”, ka thënë trajneri i Southamptonit, Ralph Hasenhuttl. “Ai dëshiron të jetë me ne, mendoj. Mund ta ndieni këtë në çdo moment, si dhe tifozët e duan shumë atë po ashtu”.

Diego Costa i ri

Broja shpeshherë është parë si zëvendësuesi ideal për ish-sulmuesin e Chelseat, Diego Costan, për shkak të fuqisë së tij dhe paraqitjeve eksplozive. Sulmuesi i Shqipërisë mund të jetë krenar me arritjet e tij dhe ato të Costas. Ishte pikërisht Costa ai i cili për herën e fundit kishte shënuar katër herë në katër ndeshje si titullar në shtëpi.

Ngjashëm sikurse Costa, edhe Broja e ka dhuntinë e shënimit të golave të rëndësishëm për ekipin e tij. Deri tani ai ka realizuar pesë gola në kampionat, ndërsa edhe dy të tjerë në kupë. Southamptoni ndërkohë ende nuk e ka humbur asnjë ndeshje në të cilën Broja ka realizuar gol. Sulmuesi i Southamptonit golin e parë në Premier League e shënoi kundër Leeds Unitedit në tetor të vitit 2021, në fitoren 1:0. Që nga ajo kohë Broja ka shënuar në barazimet kundër Burnleyt (2:2), Brightonit (1:1), Crystal Palacet (2:2), si dhe në fitoren e fundit kundër Brentfordit në kampionat.

Chelsea mund të përfitojë nga Broja

Nëse Broja vazhdon me këtë formë të mirë, shumë oferta do të vijnë në drejtim të sulmuesit shtatlartë në fund të këtij sezoni. Ende nuk është e qartë nëse Chelsea e dëshiron rikthimin e tij në klub në verë apo e shikon mundësinë që të përfitojë më shumë nga Broja në aspektin financiar. Duke parë opsionet që skuadra e Chelseat i ka në fazën e sulmit, Broja mund të kalojë edhe një edicion tjetër si i huazuar, por edhe të shitet përfundimisht. Ai ka kontratë me londinezët deri në verën e vitit 2026. Pas startit të tij të shkëlqyer këtë edicion nuk është aspak befasi që Southamptoni po dëshiron që ai të mbetet në “St Mary’s” edhe pas këtij sezoni.

Ringjallja e futbollistëve të rinj te Southamptoni

Përkrah Brojës ka edhe shumë lojtarë të tjerë që janë gati për të bërë hapin e madh në karrierë me fanellën e Southamptonit këtë edicion. Njëri prej tyre është Tino Livramento, një tjetër produkt i akademisë së Chelseat. 19-vjeçari ka qenë në formë të shkëlqyer me Southamptonin dhe ka luajtur në secilën grupmoshë tek Anglia. Tjetër lojtar që ka lënë përshtypje është edhe Mohammed Salisu. Mbrojtësi ganez ka qenë një prej lojtarëve kyç të trajnerit Hasenhuttl, qëkur u transferua nga Real Valladolidi për rreth 13 milionë euro në gusht të vitit 2020. Është vetëm 22-vjeçar. Tifozët e Southamptonit shpresojnë që Broja të mbetet në ekip edhe pasi t’i skadojë marrëveshja e huazimit. Ata dëshirojnë që Broja të jetë pjesë e pandashme e grupit pasi shihet si potencial i madh për të ardhmen. Broja tashmë është shndërruar në idhull të tifozëve të Southamptonit.