Sport

Vojvodës po i pëlqen të luajë në krahun e majtë te Torino

Descriptive Text

Reprezentuesit të Kosovës, Mërgim Vojvodës, po i pëlqen të luajë në krahun e majtë te skuadra e Torinos.

Vojvoda në ndeshjen e fundit të Torinos e mbuloi krahun e majtë. Ai ishte ndër më të dalluarit në fitoren e thellë, 4:0, ndaj Fiorentinës. Vojvoda kundër Fiorentinas u aktivizua mesfushor i krahut të majtë dhe ishte tejet efikas. Në këtë takim, që u zhvillua në kuadër të xhiros së 21-të të Serie A, Vojvoda ishte i pazëvendësueshëm. Madje, asistoi në golin e parë që u shënua në minutën e 19-të nga Wilfried Singo. Për 26-vjeçarin ishte asistimi i parë këtë edicion.

Vojvoda nuk ka asgjë kundër që edhe në ndeshjet tjera të Torinos të luajë në krahun e majtë. Madje ai ka thënë se po ndihet shumë mirë në atë pozitë edhe pse pozitë natyrale e ka atë të mbrojtësit të krahut të djathtë.

“Po, mund të them se po më pëlqen tani të luajë në këtë krah, edhe pse për mua nuk ka shumë rëndësi se prej cilit krah harkoj. Në fakt, nuk e di se nga cili krah harkoj as në stërvitje. Por, ndaj Fiorentinës gjërat shkuan shumë mirë sepse e bëra një asistim për Singon”, është shprehur Vojvoda, të martën. “Unë ndihem mirë kur jam në gjendje ta ndihmoj ekipin dhe jam shumë i lumtur për këtë”.

Pas triumfit ndaj Fiorentinës, Vojvoda tani ka kthyer fokusin te ndeshja e ardhshme e Torinos, që e luan në udhëtim te Sampdoria. Edhe në këtë takim Vojvoda pritet të aktivizohet prej fillimit dhe ka paralajmëruar se Torino udhëton për fitore. Sipas tij, paraqitja e mirë dhe fitorja e fundit i kanë dhënë vetëbesim të madh ekipit.

“Ndaj Fiorentinas ishte një fitore shumë e rëndësishme në të cilën patëm paraqitje të mirë. Është me rëndësi që vitin e kemi nisur me fitore dhe tani të njëjtën gjë e synojmë edhe në duelin tjetër. Ne ishim gati për Fiorentinën, ndonëse kemi punuar nëpër shtëpi për shkak se ishim në karantinë. Morëm ndihmë nga klubi për t’u stërvitur nëpër shtëpi”, ka treguar Vojvoda.

Vojvoda ka regjistruar 14 paraqitje për skuadrën e Torinos këtë edicion në të gjitha garat, përfshirë 13 në Serie A. Ai iu bashkua ekipit italian në verën e vitit 2020 nga Standardi i Belgjikës dhe ka kontratë deri në vitin 2024.

Torino ka tubuar 28 pikë pas 20 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani këtë edicion. Vojvoda është reprezentues i rregullt te Kosova, ku ka shënuar një gol në 43 ndeshje të zhvilluara prej debutimit në qershor të vitit 2017. Te Kosova thuajse gjithnjë mbulon krahun e djathtë të mbrojtjes.