Tenisti serb Novak Gjokoviq ka fituar betejën ligjore për të qëndruar në Australi.
Gjykatësi Anthony Kelly e ka konstatuar se është e paarsyeshme se si autoritetet kufitare kanë marrë vendim për t’ia anuluar vizën tenistit numër një në botë, raporton BBC.
Qeveria e Australisë do të paguajë kostot ligjore të Gjokoviqit.
Kjo nënkupton tash se Gjokoviq mund të futet në Australi dhe të marrë pjesë në Grand Slamin “Australian Open”.
Gjokoviqit iu anulua viza të mërkurën, pasi autoritetet australiane erdhën në konstatim se ekipi i tij nuk kishte mbushur në mënyrë korrekte aplikimin për viza. Veçanërisht kur bëhej fjalë për kërkimin që të lirohet nga vaksinimi për COVID-19. Ekipi i Gjokoviqit kishte përmendur si arsye për këtë testin pozitiv për COVID-19 të 16 dhjetorit, ndonëse në foto Gjokoviq në atë kohë shihej në ngjarje pa maska.
Që nga atëherë Gjokoviqi ka qëndruar në një hotel që shërben si qendër paraburgimi për azilkërkues.
Qeveria e Australisë mund t'i anulojë sërish Gjokoviqit vizën
Qeveria e Australisë mund të tentojë sërish t’ia anulojë vizën Gjokoviqit. Avokati qeveritar Chris Tran ka thënë se ministri i imigracionit i Australisë mund ta shqyrtojë sërish anulimin e vizës së Gjokoviqit.
Me ligjin e imigracionit në Australi, ministri ka fuqi për të anuluar vizat për çfarëdo vendimi.
Tran nuk ka specifikuar se pse mund t’i anulohet Gjokoviqit sërish viza. Ai ka thënë se nëse ministri merr këtë vendim, atëherë Gjokoviqit mund t’i ndalohet hyrja në Australi për tri vjet.