Sport

Nadali për Gjokoviqin: Ka pasoja për vendimet e marra

Tenisti spanjoll Rafael Nadal thotë se ndjen keqardhje që tenistit serb Novak Gjokoviq i është mohuar hyrja në Australi, por ai ka shtuar se Gjokoviq e ka ditur me muaj se mund të përballet me probleme lidhur me faktin se nuk është vaksinuar kundër COVID-19.

“E vetmja gjë që është e qartë për mua është se nëse je i vaksinuar atëherë mund të luash në ‘Australian Open’ dhe kudo, dhe sipas mendimit tim, bota ka vuajtur mjaft për mosndjekje të rregullave. Novaku ka marrë vendimin e tij, dhe të gjithë janë të lirë të marrin vendimet, por po ashtu ka edhe disa pasoja”, ka thënë Nadal raporton BBC.

Ai ka shtuar se shumë familje kanë vuajtur gjatë këtyre dy viteve si pasojë e pandemisë.

“Është normale që në Australi njerëzit frustrohen me rastin, pasi kanë pasur masë shumë të ashpër izoluese. E vetmja gjë që mund të them është se besoj në atë që njerëzit që dinë për mjekësi thonë, dhe nëse njerëzit thonë se duhet vaksinuar, atëherë duhet bërë këtë”, ka thënë Nadal.