Sport

Donjeta Sadiku e Argjendtë në Kampionatin Evropian

Descriptive Text

Boksierja Donjeta Sadiku, që sot e feston 18 vjetorin e lindjes, nuk ka arritur që ta mbrojë titullin e Kampiones Evropiane të boksit për juniore dhe të reja të fituar vitin e kaluar në Ordu të Turqisë.

Këtë vit, ish-kampionia Sadiku në po të njëjtën garë që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë, u stolis me medaljen e argjendtë pasi në finalen e madhe u mposht nga boksierja ruse Ludmila Voronstova, transmeton KTV.

Rrugëtimin deri në finale, 18-vjeçarja Sadiku që garon në kategorinë deri në 57kg, e nisi përballë boksieres angleze Sian O’Toole, dhe me sukses arriti që ta mposhtë me rezultat 5:0.

Në çerekfinale, Sadiku u tregua më e suksesshme se kundërshtarja nga Franca, Victoire Piteau, të cilën e mposhti me vendim unanim të gjyqtarëve.

Në gjysmëfinale, ndeshje të vështirë në letër e pati ndaj hungarezes Angela Nagy, por Donjeta me goditje të njëpasnjëshme dhe të vazhdueshme herë pas here, arriti që ta mposhtë Nagyn me rezultat 5:0.

Krejt në fund, Sadiku meçin vendimtar e zhvilloi përballë boksieres nga Rusia, Ludmila Voronstova, ndaj të cilës pas një lufte të fortë të luftuar deri në fund, u mposht me vendim unanim.

Në këtë Kampionat Evropian për juniore dhe të reja, Kosova u përfaqësua edhe me boksierin Fjolla Qunaj që garoi në kategorinë deri në 52 kg, por që u mposht në çerekfinale nga boksierja norvegjeze, Bruun Anabelle, 2:1 me runde.