Sport

Kolumbianët e Liqenit

Yulian David Diaz Montanez i vendosur në afërsi të portës, po shikonte me vëmendje lëvizjen e bashkëlojtarit te Kolumbia. Para tij ishte legjenda e futbollit të vogël, braziliani Falcao, që ndryshe njihet si “Pele i futsallit”. Falcao kishte për detyrë ta ruante 26-vjeçarin në ndeshjen në mes të Brazilit dhe Kolumbisë.

Por, nuk ia doli.

Yulian shënoi me gjoks për ta ngushtuar rezultatin në 3:2. Në fund, Kolumbia humbi finalen e Kupës së Amerikës Jugore me shifrat 7:2.

Ndeshja ishte zhvilluar në vitin 2014. Por kujtimet e Yulianit dhe Jorge Stiven Abril Garcias për ballafaqimin me Falcaon mbeten ende të freskëta.

Kolumbianët Yulian dhe Abril kanë pasur rrugëtim të gjatë në sportin e futsallit, gjithnjë e më të popullarizuar.

Rruga i ka sjellë edhe në Kosovë. Tani janë pjesë e Liqenit.

Në klubin e futsallit nga Drenasi është edhe një kolumbian tjetër. Camilo Sanchez Angles është pjesë e rëndësishme e kampionit në fuqi të Kosovës, Liqenit.

“Sigurisht që ishte kënaqësi të ndaja një fushë me Falcaon. Të gjithë e njohim atë”, tha shkurt Yuliani për KOHËN. Ai nuk ishte bashkë me Abrilin dhe Camilon gjatë vizitës që ekipi i KOHËS e bëri në palestrën “Hysni Jetullahu” në Drenas. Mungoi shkaku i gripit.

Të tre lojtarët janë nga Bogota e Kolumbisë.

“Kam pasur rastin të marr pjesë në dy Botërorë. Në vitet e fundit kam qenë në përfaqësuese, kemi marrë pjesë në eliminatore e kupa të ndryshme dhe qëllimi është të vazhdojmë kështu dhe të marrim pjesë në Copa America. Në përballjet në Kupën e Amerikës Jugore, kemi pasur rastin të ndeshemi me përfaqësuese si Brazili e Argjentina. Më kujtohet edhe ndeshja ndaj Brazilit, pjesë e të cilit kanë qenë Ferrao, Diego e Falcao. Hap pas hapi kemi ardhur në garën kryesore në Amerikën Jugore. Gara mes 10 vendeve është shumë e fortë. Përballemi me Brazilin, Argjentinën dhe disa shteteve tjera të forta në futsall”, ka thënë Abril.

Abril është 34-vjeçar. Ai tregon se në Bogota, por edhe në Kolumbi në përgjithësi, futbolli i madh dhe futbolli i vogël janë shumë të popullarizuar.

“Jam rritur në një familje sportistësh, edhe prindërit e mi kanë luajtur futsall. Në çdo qosh të vendit gjen dikë që luan futboll të vogël apo futsall, kështu që jemi shumë të lidhur me këtë sport, të cilin, sikur thashë, e kemi luajtur prejse kemi qenë fëmijë, bashkë me shokët e mi”, është shprehur ai.

Kalimi nga futsalli në futboll

Kalimi nga futsalli në futboll është një rrugë e shkelur mirë. Shumë lojtarë, sot me ndikim të madh në botën e futbollit, e kanë vlerësuar lojën e sallës si pjesë kyç të zhvillimit të tyre të hershëm, për të dalë më pas në fushë të futbollit. Abril u rrit duke luajtur futsall. Ai nuk u zhvendos në futboll. Ka edhe raste kur nga futbolli i madh kalohet në futsall.

“Të gjithë si fëmijë luajmë futboll nëpër rrugë, por realisht ka shumë vende ku mund të ushtrohet më profesionalisht ky sport, që është më i shpejtë dhe sport në të cilin je në kontakt më intensiv me topin. Shkurt, qysh si fëmijë kam pasur dashuri të madhe për futsallin”, thekson Abril.

Futsalli është sport i veçantë. Vlerësohet sporti me rritjen më të shpejtë në botë, në ambiente të mbyllura.

“Mendoj që futsalli është zhvilluar me hapa të mëdhenj. Ka liga shumë të forta. Skuadra shumë të forta ka në Rusi, Spanjë, Itali e në shtete të tjera të zhvilluara. Një lojtar që më ka bërë përshtypje është Dovenir Domingues Neto, lojtar brazilian”, ka deklaruar kolumbiani.

Abril Garcia në të kaluarën ka luajtur edhe në skuadra të Venezuelës, Ekuadorit dhe Bolivisë. Është shumë krenar që me Liqenin doli kampion i Kosovës dhe fitues i Kupës së Kosovës. Është paraqitur me sukses edhe në Champions, duke kaluar raundin e parë.

“Vitin e kaluar, falë Zotit, pata mundësinë të luaj te Liqeni. Mendoj që na shkoi mirë, bëmë lojë të mirë. Mund të kishim paraqitje edhe më të mirë në Evropë. Dolëm të tretët në raundin kryesor, por me shumë dëshirë për t’u kthyer vitin që vjen dhe, nëse Zoti e lejon, të dalim të parët”, thotë Abril.

Rrugëtimi i Camilo Sanchezit

Rrugëtim të ngjashëm ka edhe Camilo Sanchez Angles, 26-vjeçar. Ai tregon se si fëmijë ka nisur të luajë futboll, duke sfiduar veten shpeshherë edhe me më të rritur.

“Me futsall kam nisur që nga mosha 8 apo 9-vjeçare, duke bërë gara me më të mëdhenjtë. Pastaj kam luajtur futsall profesionist, i shoqëruar me lojtarë më të mëdhenj, derisa sot, sikur po e shihni, na është dhënë mundësia të jemi këtu. Kam nisur të luaj futboll, i nxitur nga vullneti i vëllait tim. Por s’e kam gjetur veten edhe aq shumë aty, andaj kam kaluar te futsalli dhe, falë Zotit, më ka shkuar shumë mirë”, ka thënë ai.

Camilo ftohet rregullisht nga përfaqësuesja e Kolumbisë, ndërsa është krenar që përfaqëson vendin.

“Momentet më të mira në këtë sport kanë qenë me Përfaqësuesen kolumbiane dhe ky

vit ka qenë vërtet i rëndësishëm, kemi marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, kemi qenë kampionë këtu në Kosovë dhe është moment shumë i rëndësishëm në karrierë.

Nëse do trajneri dhe Zoti më jep jetë, do të vazhdoj në klub, të vazhdojmë të rritemi dhe të përmirësohemi në aspektin profesional dhe atë personal. Kapiteni ynë në Kolumbi është udhëzues për ne”.

Me Liqenin shpreson të bëhet sërish kampion.

“Objektivi është i qartë - kemi ardhur të bëhemi kampionë dhe presim që vitin që vjen të bëhemi kampionë”, ka deklaruar Camilo.

Treshes së Kolumbisë në Kosovë, përkatësisht në Drenas, i rri afër Anton Uka, lojtar që shihet me të ardhme në futsallin tonë.

Ai thotë se nga kolumbianët ka mësuar shumë.

“Me të tre kaloj shumë mirë. Kam marrëdhënie të mira. Stërvitemi bashkë dhe kalojmë kohën së bashku. Mësoj shumë nga ta gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve. Më tregojnë edhe për eksperienca jetësore e ndeshje të mëdha”, tregon Uka.

Edhe Uka shpreson që të përsëritet suksesi i vitit të kaluar.

Liqeni është themeluar para dy vjetësh, ndërsa tashmë ka arritur që t’i fitojë dy trofe.