Sport

Mediat serbe e vlerësojnë shokues faktin që një tenist i ri serb po zhvillohet në Kosovë

“Shok. E ashtuquajtura Kosovë merr Novak Gjokoviqin e ri!? E financon një shqiptar nga Gjilani! Serbi, duhet ta ruash KËTË perlë”.

Ky është titulli i një shkrimi të gazetës serbe, Kurir, për tenistin nga Kosova, Filip Paviq. Paviq 15-vjeçar, i takon nacionalitetit serb por është pjesë e rregullt e garave që i organizon Federata e Tenisit e Kosovës. Madje talenti Paviq në mes të këtij muaji do të vendoset në Zvicër për të vazhduar ëndrrën që të bëhet tenist i nivelit të lartë. Një shqiptar nga Gjilani do të financojë udhëtimin dhe qëndrimin e Paviqit në Zvicër.

Kjo për gazetën serbe është shokuese. Kurir njihet si gazetë me qëndrime anti-shqiptare.

Paviq është nga Novobërda.

“Djaloshi që e shikon Gjokoviqin dhe bën tifo për Cërvena Zvezdën, është serbi i vetëm që luan në turnetë dhe garat që janë nën ombrellën e Federatës së Tenisit të ashtuquajturës Kosovë. Për këtë ata edhe e llogarisin ‘të tyre’”, ka shkruar Kurir.

Është Radio Evropa e Lirë që ka përgatitur një reportazh për Paviqin dhe kalimin e tij në Zvicër. Sipas Radios Evropa e Lirë, shqiptari që i ka ofruar përkrahje tenistit të ri aktualisht dëshiron të mbetet anonim.

“Më ka pyetur nëse dua të shkoj me të në Zvicër. Më ka thënë që do të jetë sponsor, do të sponsorizojë të gjitha, pajisjet dhe të gjitha tjerat. Unë kam pranuar”, ka thënë Paviq, që ka pasaportë të Kosovës.

Tenisti dhe babai i tij tashmë janë pajisur me viza, falë ndihmës së donatorit që jeton në Gjenevë.

Prindërit e Filipit e shohin ofertën si “dritë në fund të tunelit”.

Filip Paviq ushtron tenis për afro shtatë vjet. Ka fituar mbi 30 turne, kryesisht në Kosovë. Për mbi tri vjet nuk ka trajner dhe kushte adekuate për stërvitje. Kryesisht ushtron në një balon-sallë thuajse të braktisur. Sipas Radios Evropa e Lirë, institucionet e Kosovës dhe të Serbisë nuk kanë ndihmuar zhvillimin e tenistit të ri.

Babai i Filipit ka treguar që i është drejtuar të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” të Republikës së Serbisë. Madje atij i ishte thënë që të shesë shtëpinë dhe të shkojë me djalin në Beograd. Nga “Zyra për Kosovë” është thënë se tani duan ta ndihmojnë Filipin.

Tenisti i ri ushtron disa herë në javë edhe në oborrin e një tenisti të ri shqiptar, me të cilin bën sparing. Madje terrenin e tenistit Dasar Imeri e shfrytëzon pa ndonjë kompensim financiar.

Me aktivizimin e mediave serbe, por edhe gatishmërinë e “Zyrës për Kosovë”, ka gjasë të bëhen përpjekje nga autoritetet e Serbisë që Filip Paviqin ta largojnë nga garat që i organizon Federata e Tenisit e Kosovës.