Sport

Sezon i makthit për Lyonin brenda dhe jashtë fushës

Ky sezon po kthehet në makth për klubin e njohur nga Franca, Lyon, brenda dhe jashtë fushës. Ardhja në muajin maj e trajnerit Peter Bosz kishte për qëllim të rivendoste stabilitetin te kampioni i shtatëfishtë i Francës.

Pas 17 ndeshjeve të luajtura në këtë edicion të Ligue 1, klubi i cili dominonte futbollin vendës përpara shfaqjes së Paris Saint-Germainit është në mesin e tabelës dhe po përballet me incidentet e dhunshme të tifozëve.

Në prag të ndeshjes së fundit të ligës para pushimit të Krishtlindjeve, kundër Metzit të mërkurën, Lyoni mbetet 22 pikë prapa PSG-së që prin në tabelë. Lyoni është shumë larg nga ambicia për t'u rikthyer në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

I njohur për oreksin e tij për futboll sulmues, trajneri Bosz nuk ka arritur të gjejë ekuilibrin e duhur për lojtarët e tij në ligën franceze. Në kontrast të fortë me paraqitjen në Ligën e Evropës – ku u kualifikua në 1/8 e finales me gjithsej 16 gola të shënuar dhe pesë fitore nga gjashtë ndeshje – Lyoni ka vetëm gjashtë fitore në ligë këtë sezon. Kjo është një shifër tepër e vogël për një klub të mbushur me talente të njohura, duke përfshirë ardhurit si Emerson, Xherdan Shaqiri dhe Jerome Boateng, transferimet më të mëdha të afatit kalimtar të verës.

“Nuk e meritojmë pozitën aktuale dhe për këtë arsye duhet të fillojmë me një seri të fitoreve për t’u ngritur gradualisht në tabelë. Nëse e bëjmë këtë, atëherë do të jemi në mesin e tri skuadrave të para në fund të edicionit dhe do të luajmë në Champions edicionin tjetër”, ka insistuar Boateng. “Edicioni është i gjatë dhe të gjithë futbollistët jemi të bashkuar për t’u kthyer fuqishëm pas këtij starti të papritur”.

Presidenti i Lyonit, Jean-Michel Aulas, po mbështetej te këta lojtarë dhe trajneri Bosz për të rikthyer suksesin në një klub të cilit i mungon trofeu prej vitit 2012. Por, pavarësisht forcave të shumta sulmuese të ekipit, dobësitë e Lyonit në repartin e mbrojtjes janë ekspozuar shumë shpesh këtë edicion.

Lyoni ka pranuar 25 gola deri më tani në ligë. Skuadra me Boszin - ish-trajner i Bayer Leverkusenit, Borussia Dortmundit dhe Ajaxit - nuk ka performuar mirë, nëse bëhet krahasim me paraardhësit e tij, Rudi Garcian dhe Bruno Genesion.

Presidenti Aulas ka mbështetur publikisht trajnerin, por rënia ka lënë tashmë gjurmë në klub me largimin e planifikuar të drejtorit sportiv Juninho në javët e ardhshme. Ish-reprezentuesi brazilian është i lidhur me periudhën e suksesshme të Lyonit në vitet 2000 dhe vendimi i tij për t'u larguar flet shumë për situatën aktuale.

Përveç rezultateve të dobëta në fushë, Lyoni është përfshirë nga dhuna e tifozëve. Në fillim të këtij muaji Lyonit iu zbrit një pikë nga komiteti disiplinor i ligës franceze pasi lojtari i Marseillet, Dimitri Payet, u godit me një shishe të hedhur nga tribuna në stadiumin e Lyonit. Lyoni po përballet me sanksione të mëtejshme pas ndeshjes në kuadër të Kupës së Francës javën e kaluar ndaj Paris FC, e cila u ndërpre pasi tifozët pushtuan fushën, si dhe u përleshën në tribuna. Lyoni është zotuar të identifikojë tifozët e përfshirë në dhunë dhe vendosi të ndalojë të gjithë tifozët nga ndeshjet që i luan në udhëtim për një kohë të pacaktuar.

“Trajneri Bosz është arsyeja kryesore që jam te Lyoni, pasi me të kam punuar te Leverkuseni. Më pëlqen stili i lojës së tij. Ai luan lojë sulmuese dhe me presion të madh. Ne kemi lojtarë të mirë dhe kemi potencial për të filluar ngjitjen në tabelë”, është shprehur Boateng.